Një atmosferë feste dhe entuziazmi ka përfshirë Budapestin, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kremtuar rezultatin e zgjedhjeve që i dha fund një periudhe të gjatë qeverisjeje nga Viktor Orbán.
Festimet shpërthyen menjëherë pas konfirmimit të fitores së Péter Magyar, duke e kthyer qendrën e qytetit në një pikë grumbullimi për mbështetësit e ndryshimit.

Me flamuj në duar dhe thirrje për një të ardhme ndryshe, qytetarët kërkuan një kurs të ri demokratik për vendin.

Gjatë tubimit, një pjesë e turmës u dëgjua duke brohoritur slogane kundër Rusisë, si “Rusë, largohuni” dhe “Shkoni në shtëpi”, në shenjë pakënaqësie ndaj politikave të mëparshme dhe marrëdhënieve me Moskën.

Në fjalën e tij para mbështetësve, Magyar theksoi se vendi synon të rikthehet më fuqishëm në rrugën evropiane.
“Hungaria dëshiron të jetë sërish një vend evropian. Ajo do të rikthehet në Evropë”, u shpreh ai.
Fitorja e tij dhe e forcës politike që drejton konsiderohet si një moment kthese për Hungarinë, duke mbyllur një cikël të gjatë politik dhe duke hapur një fazë të re pritjesh për reforma dhe ndryshim. Ndërkohë, përkrahësit e Orbán reaguan me emocione të forta, teksa u bënë publike rezultatet përfundimtare.
/tiranapost
