Lajme

Ndryshimet në Ligjin për Specialen, reagon Ambasada italiane në Kosovë

Ambasada e Italisë në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me mundësinë që Kuvendi i Kosovës të votojë nesër ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se ndërhyrjet e propozuara mund të cenojnë zotimet ndërkombëtare të vendit dhe parimet themelore të sundimit të ligjit, shkruan “Bota sot”.

Në një reagim publik, Ambasada italiane ka theksuar se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze, veçanërisht sa i përket pavarësisë së gjyqësorit, mbrojtjes së viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësisë së të drejtave procedurale dhe llogaridhënies efektive.

Po ashtu, përfaqësia diplomatike italiane ka ngritur pikëpyetje edhe lidhur me kushtetutshmërinë e këtyre ndryshimeve.

Postimi i plotë i Ambasadës italiane:

“Ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me votimin e mundshëm që pritet të mbahet nesër për ligjin që ndryshon dhe plotëson Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze lidhur me përmbushjen e zotimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Këto ndryshime gjithashtu ngrenë pikëpyetje lidhur me kushtetutshmërinë e tyre.

Që nga kthimi i ligjit në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim, ne kemi qenë aktivë në përcjelljen e shqetësimeve dhe pritshmërive tona tek autoritetet e Kosovës.

Kjo përfshin edhe nevojën për konsultime paraprake para miratimit të çfarëdo ndryshimi, në përputhje me zotimet ndërkombëtare të Kosovës.

Na vjen keq që këto konsultime ende nuk janë zhvilluar. Ligji në formën aktuale nuk do t’u shërbejë as interesave të Kosovës dhe as interesave të individëve që së fundmi janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.”

Të Ngjashme