LifeStyle

Nesër Kurban Bajrami, receta tradicionale e bakllavasë hap pas hapi, që të shkihet në gojë

Festa e Kurban Bajramit, e cila festohet nesër, 28 qershor 2023, është një nga dy festat më të rëndësishme të besimtarëve muslimanë. Sipas traditës, për drekë Bajrami përgatiten disa ushqime të ndryshme dhe ëmbëlsira është kryesorja e tavolinës. Përgjithësisht në vendin tonë përdoret shumë bakllavaja, prandaj këtu gjeni recetën e detajuar dhe hap pas hapi.

Përbërësit për brumin

1 kg miell
4 të verdha veze
2 gota ujë të vakët
100 ml vaj ulliri
1/2 lugë kafeje kripë
pak niseshte

Përbërësit për mbushjen

TS Poll - Loading poll ...

1 kg arra të qëruara
500 gr gjalpë i shkrirë

Përbërësit për sherbetin

1.7 kg sheqer
1.2 l ujë
1/2 limon

Përgatitja për Bakllava Shqiptare

Hedhim miellin e situr në tavolinën e punës. Hapim një gropëz në mes të miellit ku hedhim të verdhat e vezëve, filxhanin e vajit, kripën dhe ujin e ngrohtë. Fillojmë e ngjeshim me kujdes brumin. Nëse e shikojmë të nevojshme mund të shtojmë përsëri pak ujë të ngrohtë.

Vazhdojmë të ngjeshim brumin derisa të arrijmë një masë homogjene dhe të njëtrajtshme. Brumin e përgatitur e fusim në një qese dhe e lemë të pushojë përreth një orë.

Pasi ka kaluar një orë, marrim brumin e përgatitur dhe e presim në toptha të vegjël. Hedhim pak niseshte në tavolinën e punës dhe vendosim topin e vogël të brumit. E hapim me kujdes me okllahi (pec), derisa të arrijmë një petë të hollë.

Duhet të kemi kujdes që mos ti prishim apo çajmë. Petët duhet të jenë perfekte. Vazhdojmë kështu derisa të kemi mbaruar të gjithë brumin. Petët e përgatitura i vendosim me kujdes që të thahen pak.

Vendosja e petëve në tepsi

Pasi petët janë tharë pak i marrim dhe i vendosim një e nga një në një tepsi të lyer me gjalpë.

Duhet të kemi kujdes që çdo petë ta spërkasim me gjalpë sipër e pastaj të vendosim tjetrën. Pasi kemi vendosur rreth 6-7 petë hedhim sipër një shtresë me arra të grira. Vendosim petën sipër, e spërkatim me gjalpë, vendosim një petë tjetër, e lyejmë edhe këtë me gjalpë dhe shtrojmë përsëri një shtresë me arra.

Vazhdojmë në këtë mënyrë duke alternuar petët dhe arrat. Në fund e mbulojmë me 7-8 petë. Edhe petën sipër e lyejmë me gjalpë. E presim bakllavanë në copa në formë rombi.

E vendosim tavën me bakllava në furrë të nxehtë 150°C përreth 3 orë. 15 minutat e fundit të pjekjes e ngremë temperaturën e furrës në 200°C (koha e pjekjes varet edhe nga lloji i sobës).

Heqim bakllavanë nga furra dhe e lemë të ftohet.

Përgatitja e sherbetit të Bakllavasë

Në një tenxhere të thellë hedhim ujin. Pasi uji vlon hedhim sheqerin. E trazojmë mirë, shtojmë dhe një lugë lëng limoni i cili e ndihmon sherbetin që të mos të ngrijë pasi të ftohet. E vendosim sherbetin të ziejë derisa të shkrijë komplet sheqeri.

Përgatitja përfundimtare e Bakllavasë

Pasi bakllava shqiptare është ftohur komplet i hedhim sipër sherbetin jo shumë të nxehtë (rreth 80-85°C). E lemë të regjet mirë disa orë e më pas e shërbejmë bakllavanë në copa.