Lajme

Nga 1 korriku hyjnë në fuqi çmimet e reja të biletave të transportit publik në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga 1 korriku 2026 do të hyjnë në fuqi çmimet e reja të biletave të transportit publik.

Sipas njoftimit, biletat e blera përmes kuletës digjitale ose SMS-së, nëpërmjet operatorëve të telefonisë mobile, do të jenë më të lira se biletat fizike, si pjesë e procesit të digjitalizimit të shërbimeve të transportit publik.

Çmimi i biletës njëdrejtimëshe do të jetë 0.80 euro në formë fizike dhe 0.60 euro në formë digjitale ose përmes SMS-së.

Bileta ditore do të kushtojë 1.20 euro fizikisht dhe 1 euro në versionin digjital, ndërsa bileta javore 6 euro në formë fizike dhe 5 euro në atë digjitale.

Ndërkaq, bileta mujore do të kushtojë 18 euro në formë fizike dhe 14.50 euro në formë digjitale.

Edhe bileta për linjën e Aeroportit do të jetë më e lirë në versionin digjital, me çmim 5 euro, krahasuar me 6 euro për biletën fizike.

Po ashtu, bileta vjetore digjitale do të kushtojë 150 euro, ndërsa bileta korporative vjetore digjitale, e dedikuar për bizneset me 20 e më shumë punëtorë, do të ketë çmimin 120 euro.

Komuna bëri të ditur se ndryshimet përfshijnë biletat njëdrejtimëshe, ditore, javore, mujore, biletën për linjën e Aeroportit, si dhe biletat vjetore dhe korporative digjitale.

“Digjitalizimi i transportit publik vazhdon të zgjerohet”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Të Ngjashme