Horoskopi

Një maj lunetik! Meri Shehu rendit shenjat nga më fatkeqet tek ato fatlumet

Vetëm disa ditë larg muajit të fundit pranveror, por çfarë kanë rezervuar yjet për çdo shenjë zodiaku?

Astrologia Meri Shehu ishte e ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, ku bëri parashikimin e horoskopit, por gjithashtu bëri edhe një renditje të zodiakëve nga ato më “fatkeqe” tek “fatlumet”.

Gjërat nuk duken mirë për Shigjetarin dhe Luanin, por e kundërta vlen për Akrepin dhe sidomos për Demin.

Muaji maj fillon me Hënë të Plotë në Akrep, mbaron me Hënë të Plotë në Shigjetar dhe ka një Hënë të Re në mes. Është një muaj shumë lunetik. Fillon në Akrep, që bën të kemi nevojë për siguri ekonomike dhe emocionale dhe përfundon me një Hënë të Plotë në Shigjetar, që bën të duam të ikim, jep dëshirën për t’u çliruar. Më datë 16 maj, kemi në mes Hënën e Re në Dem, që prek diagonalen Akrep–Dem. Pra, tendenca e sigurisë ekonomike dhe personale do të jetë shumë e rëndësishme. Të mos harrojmë se Urani u fut në Binjakë dhe do të ndryshojë shumë kapacitetet tona, mënyrën e mendimit, të reagimit, të veprimit. Shenjat që duhet të kenë kujdes nga kjo ndërhyrje e Uranit për këtë shtatëvjeçar do të jenë Peshqit dhe Virgjëreshët.

12 – Shigjetari
Personat e kësaj shenje duhet të presin deri në fund të muajit për të parë një Hënë të Plotë në shenjën e tyre, pasi Urani u ka dalë përballë. Hëna e Plotë që më 1 maj në shtëpinë e tyre të 12-të mund ta shohin si pasiguri pune, ekonomike, ligjore, shëndetësore dhe ndjejnë si një lloj bllokimi. Megjithatë, një punë e re ose një çlirim fillon me datë 16 maj me Hënën e Re. Por Urani përballë shenjës së Shigjetarit do të sjellë ndryshime të mëdha në partneritete dhe në çift në këtë periudhë.

11 – Luani
Duke qenë se Luanët e kanë Akrepin në shtëpinë e 10-të, kemi një ngjarje të re ose një “apokalips” të fuqishëm lidhur me karrierën, punën dhe eprorët. Këtu do të shohim çfarë do të ndryshojë përfundimisht ose çfarë dëmi është bërë. Më pas do të ketë ndryshime të rëndësishme sa i përket shtëpisë dhe në fund të muajit kemi një pozicion të mirë, sepse Hëna e Plotë në Shigjetar u jep çlirimin që duan dhe energji të mirë për të vepruar.

10 – Ujori
Ujorët në fakt duhet të kenë një pozicion shumë të lartë sepse Urani i tyre është futur në Binjakë dhe dy nga shenjat që favorizohen më shumë për këtë shtatëvjeçar janë Peshoret dhe Ujorët. Ujorët janë një nga shenjat që favorizohen më shumë në dashuri, martohen… çdo gjë mund të ndodhë në shenjën e Ujorit, mund të bëjnë plane e projekte. Vetëm se ky muaj maj me Hënën e Plotë që fillon në Akrep nuk është në pozicionin më të mirë të mundshëm, sepse i kap përsëri në çështje familjare dhe vendbanimesh. Edhe Hëna e Re në Dem i kap në çështje pune, duan ndryshim, por nuk janë të sigurt në mes të muajit. Fundi i muajit do të jetë edhe më i mirë me Hënën e Plotë në Shigjetar, me mundësi, miqësi dhe dalje.

9 – Gaforrja
Edhe Gaforrja është një shenjë që nuk është e favorizuar për shkak të Uranit në Binjakë. Madje shumë nga Gaforret do të kenë për shtatë vjet procese të vështira psikologjike, paragjykime dhe pasiguri në punë e në jetën emocionale. Duhet bërë kujdes me gjumin. Muaji maj fillon bukur me Hënën e Plotë në Akrep dhe jep një tendencë erotike. Kanë edhe Jupiterin në shenjën e tyre, nuk janë të kënaqur plotësisht, por diçka të mirë u ka sjellë. Në mes të muajit ka një njohje pune dhe aleance të mirë. Fundi i muajit sjell udhëtime, kryesisht pune.

8 – Peshqit
Edhe Peshqit janë një nga shenjat që vuajnë më shumë këtë shtatëvjeçar nga Urani në Binjakë, pasi i prek çështjet e shtëpisë. Do të ndryshojnë shtëpi, do merren me prona, me njerëz të afërt, nuk do ndihen të qetë dhe të sigurt. Megjithatë, muaji maj fillon bukur me Hënën e Plotë në Akrep. Do të udhëtojnë, do kënaqen, do kenë partneritete e studime, si dhe një veprimtari të suksesshme në mes të majit. Fundi i majit sjell një pozicion pak të vështirë në karrierë ose çështje ligjore, por që mund të kapërcehet me qetësi.

7 – Virgjëresha
Urani në Binjakë është në shtëpinë e 10-të, që merret me karrierën, punët me shtetin dhe eprorët. Këtu duhet kujdes ose përshtatje me eprorët, përndryshe nuk sjell stabilitet. Urani ka tendencë që, nëse nuk rinovoheni, t’ju rinovojë ai. Pra, ka një domosdoshmëri për ndryshim dhe zhvillim, duke sjellë një shtatëvjeçar ndryshimesh të pafundme. Muaji fillon mirë me Hënën e Plotë në Akrep, me stabilitet, ngjarje të mira personale, ekonomike, plane e projekte. Në fund të muajit mund të ketë bashkëpunime të mira me Shigjetarët.

6 – Bricjapi
Muajin e fillojnë shumë mirë, por Urani në Binjakë nuk jep stabilitet sa i përket punës së përditshme. Në periudhën shtatëvjeçare, shumë Bricjapë nuk do mund ta gjejnë punën e përshtatshme. Megjithatë, mesi i muajit është pozitiv sa i përket jetës erotike.

5 – Peshorja
Urani në Binjakë është një nga më favorizueset për Peshoret, do “ngelin në avion”. Edhe periudha shtatëvjeçare do të jetë mjaft e mirë, por Peshoret e nisin muajin maj me çështje ekonomike. Mesi i muajit ka të bëjë me disa shpenzime ose lekë që presin nga të tjerët dhe këto do t’i shohin. Fundi i majit do të jetë shumë më i mirë, duke realizuar një dëshirë ose projekt shumë të mirë.

4 – Dashi
Dashët duken sikur janë të lodhur, por do ta fillojnë muajin me çështje ekonomike. Fillimi me Hënën e Plotë në Akrep është shumë i bukur për Dashët, do të favorizohen me një plotësim dëshire ekonomike dhe në mes të muajit do të shohin se ku do i ndajnë këto para dhe çfarë do bëjnë me investimet. Fundi i muajit do të jetë më erotik për Dashët dhe Urani në Binjakë do t’i vendosë në shina të reja komunikimi dhe partneriteti.

3 – Binjakët
Me Uranin në shenjën e tyre, do të jetë shtatëvjeçari më i mirë i mundshëm. Fillon me një çështje pune të rëndësishme ose shëndetësore që duhet ta shikojnë me kujdes.

2 – Akrepi
Akrepat e fillojnë me Hënën e Plotë në shenjën e tyre. Urani në Binjakë do t’u japë tendenca të fuqishme ekonomike dhe investimesh.

1 – Demi
Demët thjesht marrin “kurorën”. Thjesht “vazhdoni përpara”.

Të Ngjashme