Lajme

Posta e Kosovës shënon 1.11 milion euro fitim më 2025, auditori i jep opinion të pastër

Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka bërë të ditur se Posta e Kosovës ka realizuar 1.11 milion euro fitim gjatë vitit 2025, ndërsa auditori i jashtëm i ka dhënë opinion të pastër, pa vërejtje.

Përmes një postimi në Facebook, Mjeku ka njoftuar edhe për nënshkrimin e marrëveshjes për kompensimin e shërbimit universal postar, në vlerë prej 477 mijë eurosh, sipas normave evropiane.

Ai ka bërë të ditur se marrëveshjen e ka lidhur së bashku me kryeshefen e Postës së Kosovës, Nora Rraci, dhe drejtorin e Njësisë së Ndërmarrjeve, Dëfrim Pllashniku.

Sipas Mjekut, shërbimi universal garanton që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të pranojnë dhe dërgojnë letra e pako brenda dhe jashtë vendit, me çmime të përballueshme dhe të njëjta në të gjitha pikat postare dhe në tërë territorin e Kosovës.

Postim i plotë:

Posta e Kosovës shënoi 1,11 milionë euro fitim më 2025, dhe auditori i jashtëm i dha opinion të pastër pa vërejtje. Sot, me kryeshefen Nora Rraci dhe drejtorin Dëfrim Pllashniku e Njësisë së Ndërmarrjeve, lidhëm marrëveshjen për kompensimin e shërbimit universal sipas normave evropiane, për 477 mijë euro.

Shërbimi universal ua garanton të gjithë qytetarëve pranimin e dërgimin e letrave dhe pakove brenda e jashtë vendit me çmime të përballueshme dhe të unifikuara – në të gjitha pikat postare dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Pulla postare për kartolinën brenda Prishtinës kushton sa pulla për kartolinën nga Leposaviqi për në Brod të Sharrit.

Sivjet pritet të jetë viti i tretë që Posta e mbyll me fitim financiar, të cilin e arriti për herë të parë më 2024, mbi një dekadë pas themelimit si ndërmarrje e ndarë. Nën udhëheqjen e znj. Rraci, Posta ka hapë 28 zyra të reja postare, ka investu në teknologjinë informative, si dhe ka fresku flotën me 7 furgonë, 10 vetura e 59 motoçikleta me mjete vetanake.

Të Ngjashme