Këshilli i Ministrave ka miratuar Vendimin Nr. 739 për shpronësimin për interes publik të pasurive private që preken nga realizimi i projektit rrugor Elbasan – Qafëthanë (Faza VI). Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe përfshin pasuri të llojeve “arë”, “truall”, “pemëtore” dhe “ndërtesë”.
“Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë… me një vlerë të përgjithshme prej 140 341 858.9 lekësh. Vlera e përgjithshme e shpronësimit përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria ‘Fondi i shpronësimeve’, në Bankën e Shqipërisë,”, përcaktohet në pikat 3 dhe 4 të vendimit të firmosur nga Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.
Sipas vendimit, procesi i shpronësimit fillon menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe afati i përfundimit është brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi. Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) Elbasan do të pezullojë të gjitha transaksionet dhe do të regjistrojë kalimin e pronësisë në favor të shtetit brenda 30 ditëve.
Pastrimi i kolektorit në Bashkinë Vlorë
Përmes Vendimit Nr. 740, Këshilli i Ministrave ka vendosur shpronësimin për interes publik të pasurive private që preken nga projekti “Pastrimi i kolektorit nga rruga ‘Demokracia’ deri tek rruga ‘Vasil Puka’” në Vlorë. Ky shpronësim kryhet në favor të Bashkisë Vlorë.
“Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë… me një vlerë të përgjithshme prej 1 732 845 lekësh. Vlera e përgjithshme e shpronësimit përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë,”, specifikon akti zyrtar.
Likuidimi i pronarëve do të bëhet pranë Bashkisë Vlorë pas paraqitjes së dokumentacionit përkatës, ndërsa ASHK Vlorë do të kryejë regjistrimin e pronave të shpronësuara brenda 30 ditëve.
Ndryshimet në fondin e shpronësimeve për segmentin Qafëthanë – Lin – Pogradec
Nëpërmjet Vendimit Nr. 741, qeveria ka ndryshuar dhe plotësuar VKM-në Nr. 866, datë 27.12.2022, lidhur me shpronësimet për ndërtimin e segmentit rrugor “Sistemim, asfaltim e masa inxhinierike në km 21+050-22+050, në rrugën Qafëthanë–Lin–Pogradec”.
“Në pikat 3 dhe 4, vlera ’10 703 498 lekësh’ zëvendësohet me ’11 899 451 lekësh’. Efekti financiar shtesë është 1 195 953 lekë,”, thuhet në tekstin e vendimit.
Kjo shtesë financiare mbulon korrigjimin e të dhënave të shpronësimit për pasurinë e llojit “vresht” në zonën kadastrale 8582, konfirmuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Shtesat për projektin e rrugës Kashar – Nyja Vaqar (Fazat I dhe II)
Me Vendimin Nr. 742, Këshilli i Ministrave ka kryer ndryshime në VKM-në Nr. 317, datë 6.5.2026, e cila rregullonte shpronësimet për projektin “Ndërtim rruga Kashar – Nyja Vaqar, Fazat I dhe II”.
“Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë me një vlerë të përgjithshme prej 129 829 726 lekësh (nga 126 284 521 lekësh që ishte parashikuar më parë),”, përcaktohet në pikën 1 të vendimit.
Ndryshimi vjen si pasojë e shtimit të nënndarjes me numër rendor 158 në tabelën e shpronësimeve, ndërsa shpenzimet procedurale prej 50 000 lekësh përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Të gjitha vendimet hyjnë në fuqi menjëherë me botimin në Fletoren Zyrtare.
