Gjatë javës së kaluar, ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, u dënuan nga Gjykata Speciale në Hagë për katër akuza për krime lufte, me gjithsej 81 vjet burgim.
Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, në Prishtinë janë organizuar protesta nga qytetarë dhe përkrahës të ish-drejtuesve të UÇK-së.
Krahas kundërshtimit të aktgjykimit, gjatë protestave janë dëgjuar edhe thirrje drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke hapur debat për karakterin e këtyre protestave dhe mundësinë e instrumentalizimit të tyre për qëllime politike.
Analistët politikë Faton Mehmeti dhe Ismail Muçiqi, në prononcime për “Bota sot”, kanë komentuar zhvillimet pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, protestat e organizuara në Prishtinë dhe reagimet ndaj kryeministrit Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Gërvalla.
Ata vlerësojnë se aktgjykimi i Hagës dhe protestat që pasuan janë shoqëruar me interpretime dhe përplasje politike, ndërsa kanë ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si po adresohen kritikat ndaj institucioneve të Kosovës.
Muçiqi: Aktgjykimet e Hagës po keqpërdoren për interesa politike, sulmet ndaj institucioneve janë shqetësuese
Analisti Ismail Muçiqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se aktgjykimet e Hagës po përdoren nga grupe të caktuara për interesa politike.

Ismail Muçiqi
“Padyshim se aktgjykimet e Gjykatës së Hagës kanë filluar të keqpërdoren nga një pjesë e klaneve dhe grupeve të caktuara që janë pjesë e partive politike, për t’i mbrojtur interesat e tyre. Këto tendenca me prapavijë politike kanë filluar të reflektohen edhe kundër Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kundër Ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Koha po tregon se, në emër të protestave kundër aktgjykimit të Hagës, ekziston edhe një argument shumë i fuqishëm se grupet e caktuara, të cilat me vite po e bllokojnë shtetin, tani, në emër të solidarizimit për krerët e UÇK-së, janë organizuar kundër Albin Kurtit dhe Qeverisë së tij”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Muçiqi ka përfolur edhe mënyrën e zhvillimit të protestave, duke shprehur shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës dhe përplasjeve.
“Mendoj se kjo mendësi primitive, me plot hile dhe veprime konspirative, paraqet rrezik për eskalim të situatës dhe përplasje ndërmjet shqiptarëve të painformuar dhe të manipuluar.
Sulmet ndaj objekteve dhe institucioneve të shtetit tregojnë se një numër i protestuesve, ditën e parë të protestave në Prishtinë, me maska në kokë, sinjalizojnë se në këto protesta mund të ndodhin gjëra të rrezikshme”, ka shtuar ai.
Në fund, Muçiqi ka përfolur edhe kërkesat për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duke i cilësuar ato si të parealizueshme.
“Andaj, tendencat për ta ç’bërë Gjykatën Speciale në Hagë nga ana e protestuesve janë të parealizueshme, kur dihet se kjo gjykatë u themelua me votat e Parlamentit të Kosovës dhe me votat e deputetëve të Këshillit të Evropës, e ratifikuar në politikën e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar Muçiqi.
Mehmeti: Thirrjet ndaj Kurtit dhe Donikës janë të panevojshme
Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti, për “Bota sot”, është shprehur se OVL-ja, gjithmonë ka qenë nën ombrellën e PDK-së, ndërsa reagimet e fundit i ka cilësuar si të dirigjuara nga eksponentë të kësaj partie.

Faton Mehmeti
“Faktikisht OVL-ja gjithmonë është përdorur dhe ka qenë faktikisht nën ombrellën e PDK-së dhe po vazhdon thjesht. Besoj që thirrjet ndaj Kurtit dhe Donikës janë thjesht të panevojshme, janë qesharake dhe, për më tepër, janë të dirigjuara nga eksponentë të PDK-së. Kështu që nuk shoh diçka të papritur këtu, por duhet ta dinë të gjithë ata që po organizojnë protesta se as Albin Kurti, as Donika nuk i kanë dërguar në Hagë Hashim Thaçin dhe të tjerët. Për më tepër, Kurti ka qenë ai që ka votuar kundër kësaj gjykate, ka bërë gjithçka që të mos votohej”, ka deklaruar Mehmeti.
Më tej, Mehmeti ka përfolur edhe adresimin e protestave, duke thënë se ato duhet të drejtohen ndaj PDK-së.
“Kështu që, nëse duhet të protestojnë ata që po protestojnë, OVL-ja duhet të protestojë para PDK-së, sepse PDK-ja e ka këtë gjë kosto në Gjykatën Speciale, jo dikush tjetër, jo Qeveria. Por, duke pasur parasysh që janë thjesht satelitë të PDK-së, nuk pritet diçka tjetër prej tyre. Kështu që nuk besoj që i bëjnë ndonjë dëm Donikës. Thjesht janë sulme të dirigjuara për ta njollosur edhe më tepër Donikën dhe, thjesht, po shprehin mllefin ndaj Kurtit që nuk po mundin dot ta bëjnë ndryshe”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”,
