Lajme

Kurti takon të dërguarën britanike për Ballkanin, diskutojnë për marrëdhënien Kosovë – Serbi dhe rrugën euroatlantik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar takim me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.

Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet politike dhe të sigurisë, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, shqiptarët në Luginën e Preshevës si dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Kurti tha se e ka falënderuar Pierce për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, ndërsa vlerësoi, sipas tij, mbështetjen britanike për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Në takim, kryeministri ka shprehur edhe shqetësimin e tij lidhur me aktgjykimet e shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, pjesë e diskutimeve ishin edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, statusi i vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe thellimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Kurti bëri të ditur gjithashtu se i ka uruar paraprakisht ditëlindjen Dame Karen Pierce, e cila e feston ditëlindjen nesër, duke i dhuruar një kujtim nga Republika e Kosovës./teve1.info/

 

Të Ngjashme