Qytetarët kërkojnë që Kuvendi i Kosovës të konstituohet dhe vendi të dalë nga ngërçi politik, duke apeluar te partitë politike që të gjejnë një marrëveshje dhe të marrin përgjegjësi për qytetarët.
Qytetari Fatmir Ademi theksoi se Kuvendi është dashur të formohet dhe u bëri thirrje partive politike, veçanërisht kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të tregojnë më shumë tolerancë.
“Po është dashtë, nëse kanë pak moral e përgjegjësi, duhet me u mbledhur edhe me gjetur një mirëkuptim të gjitha partitë politike, sidomos edhe zoti Kurti, që pak a shumë të jetë pak më tolerant dhe ta formojnë qeverinë e Kosovës, sepse është në mirësinë e të gjithë qytetarëve”, tha Ademi në një prononcim për KosovaPress.
Ai paralajmëroi se nëse Kuvendi nuk konstituohet, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Ndërkaq, qytetari Pajazit Alimaj tha se është koha që institucionet të formohen, pasi sipas tij, qytetarët kanë mbetur gjatë në pritje.
Ai kërkoi që të zgjidhen institucionet dhe që politika të fokusohet në zhvillimin e vendit.
“Besoj që mjaft më, inshallah formohet se edhe ne jemi mbetur duke kërkuar, jo veç populli, populli ka mbetur, janë mbetur të gjithë, a po sheh. Jemi mbetur thuajse, domethënë, s’kemi as, qysh i thuhet, kryeministër. Që duhet, s’kemi kryetar. Kryeministrin e kemi të mirë, unë se di çfarë po duan më tepër, tha Alimaj.
Ndërkohë, Skender Shylemaja tha se përgjegjës për situatën është opozita, të cilën e akuzoi se po kërkon më shumë poste në bazë të numrit të deputetëve.
Ai tha se duhet të zgjidhet një president konsensual dhe jo partiak, duke kërkuar nga LDK-ja që të propozojë figura të dëshmuara dhe me integritet.
“Përgjegjës është opozita. I ka thirrur, ende ato në bazë të vlerës së votave po lipin shpërblimin më të madh. Shpërblimi shkon sipas takatit, si me 18 deputetë po lipin me marrë Presidentin. A ky po ia jep Presidentin me marrë një President konsensual, jo partiak siç kanë bërë deri më tash që 20 vjet, kanë bërë dëme me territore, kanë bërë dëme me terminale e sende të ndryshme me shantazhe. Nuk duhet, duhet të ketë nga LDK-ja akademikë të plotë, njerëz që janë eminentë, mund t’i marrin e t’i formojnë, po po duan menjëherë partiakë me i prurë”, deklaroi Shylemaja.
Ndërsa Fahredin Alimi tha se palët duhet të bëjnë kompromis dhe të mos e zgjasin më tej situatën.
“Duhet me u formuar patjetër, se mjaft e kanë zgjatur, e kanë zgjatur që më nuk shkon. Këtu i ka fajet pozita, Albin Kurti i ka fajet shumë. Ai ka pasur ditë me i lëshuar pe pak, duhet me qenë pak njeri, duhet me qenë pak më i gjerë, opozitës me ia dhanë vendin, si për kryetar të Kuvendit, si për kryetar të Kosovës”, tha Alimi.
Më i ashpër në deklaratën e tij ishte mërgimtari Hamit Bajrami, i cili tha se përgjegjësia për situatën është e të gjitha palëve politike.
“Unë jam nga Zvicra veç na e kanë hedhur faqen e zezë. Si opozita, si pozita, unë nuk po di çfarë njerëzit janë këta. A kanë shkollë, a s’kanë shkollë? Tash duhet me u ndalë e me menduar një herë, së pari jemi shtet i ri”, tha Bajrami.
Bajrami tha se liuderët duhet të ulen dhe të bisedojnë për të gjetur një zgjidhje, ose t’u lërë hapësirë gjeneratave të reja.
“Unë kisha propozuar, propozimi im është me u ulë e me bërë bisedë si njerëz e me thënë: ‘Hej, kadale bre! Të gjitha votat i kemi për… a janë njerëz të egër apo çfarë jemi këta? Unë kisha thënë, këta edhe një herë si të dështojnë, i kisha hequr të gjithë prej parlamentit, asnjë s’e kisha lënë më aty. Rinia le ta rregullojë”, përfundoi Bajrami.
Seanca konstituive e Kuvendit u ndërpre sërish, pas kërkesës së Kurtit për kohë shtesë për të arritur një marrëveshje politike.
Pas incidentit në sallë, ku deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Kurtit, kryesuesi Avni Dehari kërkoi ndërhyrjen e sigurimit të Kuvendit.
