Lajme

Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës mbeten: Bosch zbardh ‘misterin’ e qëndrimeve franceze dhe italiane

Kur Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, ato u përshkruan si të përkohshme, ndërsa kushtet për heqjen e tyre qenë të qarta.

Zyrtarët në Kosovë ngulmojnë se kërkesat e BE-së për largimin e masave që e dëmtuan vendin në vlera milionëshe janë plotësuar: situata në veri është shtensionuar, prania e Policisë afër objekteve komunale në veri është zvogëluar, serbët kanë marrë pjesë në zgjedhjet e mbajtura sivjet, dhe kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe është realizuar.

Por, ditëve të fundit u raportua në mediat e Kosovës, bazuar në burime brenda BE-së, se vende si Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, nuk kanë vullnet për heqjen e sanksioneve.

Image
Robert Bosch.

E në lidhje me atë se pse Franca dhe Itali po mbajnë këtë qëndrim kundër Kosovës, foli ish-ambasadori holandez, Robert Bosch.

Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se, nuk e kupton këtë qasje të qeverisë franceze kundër Kosovës, derisa këtë e ndërlidhi me frikën nga frocat e ekstremit të djathtë.

“Nuk e kuptoj pse, veçanërisht Franca, është kaq kundër Kosovës, sidomos sa i përket anëtarësimit në Interpol dhe në Këshillin e Evropës. Mos vallë kjo lidhet me frikën nga forcat e ekstremit të djathtë në Francë?”.

Kurse, sa i përket Italisë, kërkoi që kryeministri i Shqipërisë të bisedojë me Melonin, pasi edhe janë miq.

Ndonëse, potencoi se kryeminsitrja e Italisë ka qëndrim politik kundër zgjerimit të BE-së.

“Edi Rama duhet të bisedojë edhe me mikeshën e tij, Melonin. Megjithatë, duket se Meloni është kundër çdo zgjerimi të mundshëm të BE-së, me përjashtim të Shqipërisë. Por sërish, këto janë vetëm hamendësime nga ana ime”, përfundoi Robert Bosch për “Bota sot”.