Lajme

SHBA paralajmëron rishikim të pranisë në Bosnje pas përplasjeve me Evropën

Një ndarje gjithnjë e më e thelluar mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës lidhur me të ardhmen e Bosnje e Hercegovinës është bërë e dukshme pas një mosmarrëveshjeje për një post të lartë ndërkombëtar, duke çuar deri te një kërcënim nga Uashingtoni për të rishikuar rolin e tij në misionet ndërkombëtare të paqes në vend.

Ambasada e SHBA-së në Sarajevë lëshoi paralajmërimin pasi vendet evropiane refuzuan të mbështesnin kandidatin e preferuar amerikan për postin e Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Gjatë një takimi të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), i cili mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, SHBA-ja mbështeti diplomatin italian Antonio Zanardi Landi, ndërsa Britania, Franca, Gjermania dhe shumica e vendeve evropiane u rreshtuan pas të dërguarit francez për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz.

Në një reagim në platformën X, Ambasada amerikane në Sarajevë tha se SHBA-të janë të zhgënjyera nga mungesa e konsensusit evropian dhe nga dështimi i PIC-it për të zgjedhur një pasues të ri. Ajo paralajmëroi se këto përçarje po e detyrojnë Uashingtonin të rishqyrtojë angazhimin e tij në strukturat aktuale ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë, shkruan theguardian.

Edhe pse SHBA-ja nuk ka më një prani të madhe ushtarake në Bosnje, ajo vazhdon të ketë ndikim përmes PIC-it dhe marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa në terren vepron një mision i vogël paqeruajtës i Bashkimit Evropian.

PIC pritet të tentojë sërish arritjen e një konsensusi për emërimin e Përfaqësuesit të Lartë më vonë gjatë muajit, me mundësinë që të shfaqen kandidatë kompromisi.

Disa zyrtarë evropianë kanë sugjeruar se një tërheqje e mundshme e SHBA-së nga roli i saj do të ndryshonte balancat në rajon, veçanërisht në një klimë të ndjeshme politike dhe të polarizuar në Bosnje. Në këtë kontekst, janë ngritur edhe dyshime për motivet e administratës amerikane, përfshirë edhe zhvillime të fundit rreth heqjes së sanksioneve ndaj Milorad Dodikut pas lobimeve në Uashington.

Po ashtu, SHBA ka ushtruar presion ndaj Përfaqësuesit të Lartë në largim, Christian Schmidt, pas masave të tij ndëshkuese ndaj Dodikut për shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit.

Në të njëjtën kohë, raportimet kanë theksuar edhe rritjen e interesave biznesore të lidhura me rrethin e presidentit amerikan, Donald Trump në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë vizitën e Donald Trump Jr. në Banja Llukë si mysafir i familjes së Milorad Dodik, transmeton telegraf.

Sipas raportimeve nga takimi i PIC-it në Sarajevë, SHBA-ja ka qenë më e vendosur në mbështetjen e kandidaturës së Landit sesa vetë Italia, duke thelluar më tej ndarjet me partnerët evropianë.

Të Ngjashme