LifeStyle

SHTATËZËNIA NË VERË / Si të përballoni temperaturat e larta dhe të kujdeseni për veten dhe foshnjën tuaj

Temperaturat e larta të verës mund ta bëjnë shtatzëninë më të vështirë për shumë gra. Lodhja, djersitja e shtuar, ndjesia e rëndesës dhe ënjtja e këmbëve janë disa nga shqetësimet që bëhen më të dukshme gjatë ditëve të nxehta.

Për këtë arsye, mjekët këshillojnë kujdes të shtuar dhe disa zakone të thjeshta që ndihmojnë në përballimin e vapës. Një nga rekomandimet kryesore është hidratimi i vazhdueshëm gjatë gjithë ditës. Marrja e mjaftueshme e ujit ndihmon organizmin të ruajë ekuilibrin e lëngjeve dhe të shmangë dehidratimin, i cili mund të bëhet më i shpeshtë gjatë temperaturave të larta.

Gjithashtu, këshillohet shmangia e ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës. Daljet dhe aktivitetet fizike është më mirë të planifikohen në mëngjes herët ose në mbrëmje, kur temperaturat janë më të ulëta.

Veshjet e lehta dhe të gjera, të prodhuara nga materiale që lejojnë qarkullimin e ajrit, ndihmojnë në uljen e ndjesisë së nxehtësisë. Mbajtja e një kapeleje dhe përdorimi i ujit për freskim gjatë ditës mund të sjellin lehtësim shtesë.

Noti mbetet një nga aktivitetet më të rekomanduara gjatë shtatzënisë në stinën e verës. Ai ndihmon në freskimin e trupit, lehtëson presionin mbi nyjet dhe kontribuon në ruajtjen e aktivitetit fizik.

Ekspertët këshillojnë gjithashtu që gratë shtatzëna të mos neglizhojnë ushqimin, edhe nëse oreksi është më i ulët për shkak të vapës. Vaktet e lehta, frutat, perimet dhe pijet smoothie mund të ndihmojnë në marrjen e lëndëve ushqyese të nevojshme.

Për ënjtjen e këmbëve, një problem i zakonshëm gjatë shtatzënisë, rekomandohet pushimi i shpeshtë me këmbët e ngritura dhe qëndrimi në ujë për periudha të shkurtra, gjë që ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe uljen e shqetësimit.

Me pak kujdes dhe organizim të përditshëm, gratë shtatzëna mund ta kalojnë më lehtë periudhën e verës dhe të reduktojnë ndikimin e temperaturave të larta në organizëm.

Të Ngjashme