Kuriozitete

Si Zvicra krijoi një industri të madhe çokollate?

Zvicra njihet sot si një nga vendet më prestigjioze në botë për prodhimin e çokollatës, por historia e saj është edhe më interesante sesa vetë shija. Edhe pse është një vend pa dalje në det dhe me klimë të ftohtë, Zvicra arriti të krijojë çokollatën në formën që e njohim sot, duke revolucionarizuar një produkt që dikur konsumohej krejt ndryshe.

Prej kohësh ka ekzistuar një rivalitet i heshtur mes çokollatës zvicerane dhe asaj belge, por faktet historike tregojnë se Zvicra ishte ndër të parat që nisi prodhimin industrial të çokollatës që në fillim të shekullit të 19-të, disa dekada përpara Belgjikës. Edhe më herët, në vend funksiononin punishte të vogla për përpunimin e kakaos, ndërkohë që eksploruesit zviceranë sillnin kokrra kakaoje nga vende të largëta.

Megjithëse nuk kishte plantacione kakaoje, Zvicra përfitoi nga pozicioni i saj strategjik në zemër të Evropës. Kokrra kakaoje transportoheshin nga portet italiane si Gjenova përmes Alpeve, duke krijuar një rrjet të fuqishëm tregtar. Madje, në disa zona malore, u zhvillua edhe një formë kontrabande e kakaos përmes të ashtuquajturave “gjurmë kontrabandistësh”, që ndihmoi në rritjen e furnizimit dhe zhvillimin e industrisë.

Në të njëjtën kohë, politika e taksave të ulëta për importin e kakaos dhe eksporti i produktit të përpunuar sollën të ardhura të konsiderueshme për ekonominë zvicerane. Sot, vendi mbetet një nga qendrat kryesore të tregtisë dhe përpunimit të kakaos në nivel global.

Historia e çokollatës ndryshoi rrënjësisht falë inovacionit zviceran. Që nga koha e qytetërimeve të lashta si Majat dhe Aztekët, çokollata konsumohej si një pije e trashë dhe shpesh me erëza. Ishin zviceranët ata që e transformuan atë në një produkt të butë dhe të ëmbël, duke e bërë një nga kënaqësitë më të dashura në botë.

Një rol kyç në këtë revolucion luajtën pionierët e industrisë. François-Louis Cailler themeloi fabrikën e parë të mekanizuar të çokollatës në vitin 1819, ndërsa Philippe Suchard ndoqi të njëjtin rrugëtim pak vite më vonë. Më pas, figura si Daniel Peter dhe Rudolf Lindt sollën inovacione që ndryshuan përgjithmonë teksturën dhe shijen e çokollatës.

Veçanërisht e rëndësishme ishte shpikja e teknikës së “konçimit” nga Rudolf Lindt në vitin 1879. Kjo metodë, që përzien dhe homogjenizon masën e çokollatës për një kohë të gjatë, i dha asaj teksturën e lëmuar dhe kremoze që “shkrihet” në gojë. Sipas historisë, kjo zbulim erdhi rastësisht, kur Lindt harroi makineritë ndezur gjatë një fundjave të tërë.

Një tjetër hap i rëndësishëm ishte shtimi i qumështit në përbërje, që solli krijimin e çokollatës me qumësht një nga format më të preferuara sot. Ky kombinim i inovacionit dhe përkushtimit ndaj cilësisë e bëri çokollatën zvicerane sinonim të luksit dhe shijes së rafinuar.

Sot, mbi 70% e prodhimit zviceran të çokollatës eksportohet, ndërsa vetë zviceranët mbeten ndër konsumatorët më të mëdhenj në botë për frymë. Industria vazhdon të evoluojë, duke kombinuar traditën me kërkimin shkencor, përfshirë edhe kontributet nga institucione si ETH Zürich.

Të Ngjashme