Kuriozitete

Tetori sjell turistë në Gjirokastër, qyteti vijon të jetë i i preferuar për t’u vizituar

Muaji tetor e gjen Gjirokastrën sërish mes destinacioneve më të preferuara nga turistët vendas dhe të huaj. Arkitektura karakteristike, historia e pasur dhe trashëgimia kulturore që mbart qyteti i gurtë vijojnë të tërheqin vizitorë, duke e mbajtur të gjallë turizmin edhe gjatë sezonit të vjeshtës.

Një turiste, e cila po viziton qytetin, shprehet se:

“Gjirokastra na ka pëlqyer shumë. Është një qytet me histori të pasur dhe me një arkitekturë të veçantë. Kemi shëtitur në rrugicat e pazarit dhe kemi shijuar atmosferën unike që ofron qyteti.”

Vizitorët tregojnë se kanë zgjedhur këtë periudhë të vitit për të vizituar Gjirokastrën edhe për shkak të qetësisë që ofron, larg fluksit të sezonit veror.

Një tjetër turiste u shpreh:

“Kemi ardhur në Gjirokastër për të kaluar disa ditë pushimi dhe qyteti na ka surprizuar pozitivisht. Kalaja, pazari karakteristik dhe shtëpitë tradicionale janë atraksione që vështirë se i gjen diku tjetër. Është një destinacion që ia vlen patjetër të vizitohet.”

Ndërkohë, turistë të tjerë vlerësojnë autenticitetin e qytetit dhe mikpritjen e banorëve.

“Qyteti është autentik dhe njerëzit janë mikpritës. Kemi zgjedhur këtë periudhë për ta vizituar sepse është një kohë më e qetë dhe po e shijojmë vërtet qëndrimin këtu.”

Me temperaturat më të buta të vjeshtës dhe interesin e vazhdueshëm të turistëve, Gjirokastra mbetet një destinacion i vizitueshëm gjatë gjithë vitit. Muaji tetor sjell një ritëm më të qetë turistik, por jo më pak interes për qytetin e gurtë, i cili vijon të mbetet një nga pikat më tërheqëse të turizmit kulturor në vend.

Gazetare: E. Domeri

Të Ngjashme