Lajme

“Veprim vandal dhe shovinist” – Kelmendi reagon ashpër për tabelën në Mitrovicë

 

Dje, Policia e Kosovës i ka shoqëruar për intervistim kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, si dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal, Ivan Zaporozhac, pasi dyshohet se tentuan ta lyenin me ngjyrë të kuqe zemrën e gjelbër të simbolit “E dua Mitrovicën”, të vendosur gjatë mandatit të kaluar nga administrata e ish-kryetarit shqiptar, Erden Atiq.

Profesori Muhamet Kelmendi e ka cilësuar largimin e mbishkrimit “Mitrovicë” si akt vandal dhe diskriminues ndaj gjuhës shqipe, duke thënë se veprimi bie ndesh me ligjet e Kosovës dhe tregon nacionalizëm ekstrem ndaj shqiptarëve.

“Veprimet arbitrare të administratës lokale serbe në veri për të larguar mbishkrimin “Mitrovicë” nga rruga tregojnë urrejtjen që kanë ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës.

Vendimi është marrë për një çështje të thjeshtë – një tabelë e shkruar edhe në gjuhën shqipe, që informon qytetarët për Mitrovicën. Kjo po e pengon administratën serbe dhe vetë kryetarin e Mitrovicës.

Ky veprim i shovinistëve serbë është në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës. Në Kosovë janë gjuhë zyrtare shqipja dhe serbishtja. Në vendet ku jetojnë minoritete të tjera përdoret edhe gjuha e tyre. Prandaj, largimi apo përlyerja e mbishkrimit “Mitrovicë” është akt i papranueshëm, huligan dhe vandal.

Kjo sjellje tregon urrejtjen dhe nacionalizmin ekstrem serb ndaj gjuhës shqipe. Vetëm pse është shkruar në shqip, ata kërkojnë të hiqet, sikur kjo pjesë të ishte territor i pushtuar nga Serbia dhe jo pjesë e Republikës së Kosovës.

Madje, deri aty ka shkuar vetë kryetari saqë ka detyruar edhe Asamblenë komunale të votojë për heqjen e saj. Ky është diskriminim dhe racizëm institucional ndaj gjuhës shqipe dhe qytetarëve shqiptarë”, shpehet ai për “Bota sot”.

Sipas Kelmendit, shqiptarët respektojnë të drejtat gjuhësore, ndërsa veprimet ndaj mbishkrimit “Mitrovicë” tregojnë mospranim të shtetit të Kosovës dhe ndikim të vazhdueshëm të Beogradit mbi strukturat serbe në veri.

“Ndërkohë, në gjuhën serbe pothuajse çdo mbishkrim në Kosovë vendoset pas shqipes dhe kjo nuk i pengon shqiptarët. Shqiptarët e respektojnë ligjin dhe të drejtat gjuhësore të komuniteteve tjera.

Për shumë përfaqësues serbë, çdo gjë që është shqiptare shihet si armiqësore. Me këto veprime tregohet se një pjesë e minoritetit serb jo vetëm që është kundër ligjeve të shtetit të Kosovës, por vazhdon ta luftojë edhe vetë shtetin, duke mos e pranuar juridikisht dhe politikisht.

Kjo dëshmon se strukturat serbe në veri ende veprojnë me urdhra dhe ndikim të Beogradit, me synimin që Republika e Kosovës të dobësohet dhe të mos pranohet si shtet i pavarur dhe sovran” – përfundoi ai.

Të Ngjashme