Lajme

Walker e DioGuardi propozojnë Bislimin për President – analistët paralajmërojnë Kurtin e Abdixhikun për këtë skenar

Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku kanë bërë të ditur se në takimin mes tyre kanë diskutuar për “emra konkretë” për Presidentin e ardhshëm të Kosovës, por pa zbuluar se për cilët emra bëhet fjalë.

Dy liderët politikë kanë thënë se emrat nuk janë bërë publikë për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve, ndërsa çështja e zgjedhjes së Presidentit tashmë është kthyer në një prej temave kryesore të diskutimeve politike për tejkalimin e ngërçit institucional.

Në këtë situatë, pas ish-ambasadorit amerikan Ëilliam Walker, edhe ish-kongresmeni amerikan Joseph DioGuardi i është drejtuar liderëve politikë të Kosovës, duke propozuar që Faton Bislimi të merret në konsideratë për President të Republikës.

Propozimi i DioGuardit vjen pikërisht në kohën kur Kurti dhe Abdixhiku kanë konfirmuar se kanë kaluar nga diskutimi i kritereve te diskutimi i emrave konkretë për kreun e shtetit.

Kjo ka hapur një debat të ri politik:A mund të jetë Faton Bislimi, emri që mund të kalojë përtej ndarjeve partiake dhe të shërbejë si pikë takimi mes partive? Dhe a mund të ndikojë mbështetja e Walkerit dhe DioGuardit në diskutimet që tashmë kanë nisur mes liderëve kosovarë?

Në anën tjetër, mbështetja nga dy figura amerikane nuk nënkupton automatikisht se Bislimi është kandidat konsensual dhe as se bëhet fjalë për një qëndrim zyrtar të administratës amerikane.

Megjithatë, në një kohë kur marrëdhëniet e Kosovës me aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, kanë rëndësi strategjike, profili i një kandidati me lidhje të fuqishme në Ëashington mund të marrë një dimension të veçantë në debatin për Presidencën.

Pikërisht për këtë, pyetja kryesore është nëse propozimi për Bislimin mund të shndërrohet nga një mbështetje publike e dy figurave amerikane në një opsion real politik për kompromis mes partive kosovare.

Gashi: Mbështetja e Walkerit dhe DioGuardit ia rrit peshën Bislimit – por prova e vërtetë është mbështetja brenda Kosovës

Analisti nga diaspora, Eduard Gashi, në një prononcim për “Bota sot” vlerëson se propozimi i Ëilliam Walkerit dhe Joseph DioGuardit duhet parë përtej vetë emrit të Faton Bislimit, pasi bëhet fjalë për dy personalitete amerikane që kanë qenë të lidhura për dekada me çështjen e Kosovës.

“Propozimi i Faton Bislimit nga Ëilliam Walker dhe tash edhe nga ish-kongresmeni Joseph DioGuardi duhet lexuar përtej emrit konkret. Këtu kemi dy personalitete amerikane që kanë qenë të lidhura për dekada me çështjen e Kosovës dhe që, pikërisht në momentin kur Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku kanë kaluar nga diskutimi i kritereve te diskutimi i emrave konkretë, vendosin publikisht në tavolinë të njëjtin emër. Kjo padyshim ia rrit peshën politike kandidaturës së Faton Bislimit. Nuk do të thotë se ai automatikisht bëhet kandidat konsensual dhe aq më pak se kemi të bëjmë me një propozim zyrtar të Uashingtonit. Walker dhe DioGuardi nuk flasin në emër të administratës amerikane. Por pesha historike dhe kredibiliteti i tyre në raport me Kosovën bëjnë që propozimi të mos mund të trajtohet thjesht si një emër i hedhur në opinionin publik.”

Image
Eduard Gashi

Gashi thekson se Bislimi ka disa avantazhe që mund ta bëjnë profilin e tij të përshtatshëm për një debat të tillë, veçanërisht në rrethanat aktuale politike.

“Bislimi ka disa avantazhe të dukshme: formim të fuqishëm akademik, përvojë parlamentare, njohje të realitetit kosovar, lidhje të thella me diasporën dhe sidomos një rrjet të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara. Në një periudhë kur marrëdhëniet me aleatët, veçanërisht me SHBA-në, kanë rëndësi strategjike për Kosovën, ky është një kapital politik që nuk duhet nënvlerësuar.”

Megjithatë, sipas tij, mbështetja nga jashtë nuk mjafton që një kandidat të konsiderohet konsensual. Testi kryesor duhet të jetë aftësia për të krijuar besim te partitë dhe qytetarët brenda Kosovës.

“Prova e vërtetë për çdo kandidat nuk është se kush e propozon nga jashtë, por nëse mund të krijojë besim brenda Kosovës. Presidenti nuk duhet të jetë as trofe i shumicës dhe as fitore simbolike e opozitës. Ai ose ajo duhet të mund të hyjë në Presidencë pa u perceptuar si instrument i Kurtit, Abdixhikut, PDK-së apo cilësdo parti tjetër. Edhe matematika parlamentare e dëshmon këtë. LVV dhe LDK së bashku kanë një bazë të fortë për marrëveshje, por procedura kushtetuese kërkon një shkallë më të gjerë bashkëpunimi. Prandaj unë mendoj se kandidati i ardhshëm duhet të testohet jo vetëm në boshtin Kurti–Abdixhiku, por edhe në raport me PDK-në, AAK-në dhe përfaqësuesit e komuniteteve. Vetëm atëherë mund të flasim realisht për president konsensual.”

Por Gashi nuk e sheh debatin vetëm te emri i Bislimit. Ai sjell në diskutim edhe një tjetër profil që, sipas tij, meriton vëmendje serioze.

“Një emër që unë do ta konsideroja shumë seriozisht, madje ndër profilet më të përshtatshme për këtë moment politik, është Dr. Nikë Gjeloshi. Po flasim për një politolog me përvojë shumëdekadëshe, njohës të thellë të sistemeve politike dhe të proceseve shtetformuese të Kosovës, si dhe për një njeri që ka qenë pjesë e historisë politike të vendit shumë përpara krijimit të institucioneve të sotme. Pikërisht këtu shoh një avantazh të veçantë të Gjeloshit: Kosova nuk ka nevojë vetëm për një president me kontakte ndërkombëtare, por edhe për një president që e kupton shtetin, Kushtetutën, historinë politike dhe raportin delikat ndërmjet institucioneve.”

Sipas Gashit, kjo është arsyeja pse debati për Presidentin duhet të jetë më i gjerë dhe të mos kufizohet vetëm në emrat që tashmë janë përmendur publikisht.

“Nëse kriteri është të gjendet një figurë me përvojë politike, formim politologjik, memorie institucionale dhe me distancë të mjaftueshme nga përplasja e përditshme LVV–LDK–PDK, atëherë për mua Nikë Gjeloshi meriton të jetë në tavolinën e emrave dhe personalisht do ta shihja si një zgjedhje jashtëzakonisht serioze për President të Republikës. Prandaj, mbështetja e Walkerit dhe DioGuardit e ka ngritur realisht kandidaturën e Bislimit në një nivel tjetër dhe partitë duhet ta shqyrtojnë me seriozitet. Por kjo nuk duhet ta mbyllë garën e ideve dhe të personaliteteve. Përkundrazi, duhet ta hapë atë.”

Në fund, Gashi thekson se zgjedhja e Presidentit duhet të jetë mbi kalkulimet partiake.

“Kosova duhet të zgjedhë jo presidentin që i përshtatet më shumë një partie, por figurën që mund t’u thotë të gjitha partive: unë nuk jam presidenti juaj – jam Presidenti i Republikës.”

Hyseni: Bislimi mund të jetë pikë takimi mes partive – Presidenca duhet të forcojë lidhjen me SHBA-në

Edhe analisti Nehat Hyseni e sheh zgjedhjen e Presidentit si një moment të rëndësishëm politik dhe institucional për Kosovën. Sipas tij, zvarritja e procesit tashmë ka tejkaluar një mosmarrëveshje të zakonshme ndërmjet partive dhe po shndërrohet në një test për aftësinë e klasës politike për të ndërtuar kompromis.

Image
Nehat Hyseni

“Zvarritja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës po merr përmasa që tejkalojnë një mosmarrëveshje të zakonshme ndërmjet partive politike. Ajo po shndërrohet në një provë serioze për kulturën institucionale të Republikës, për aftësinë e klasës politike për të ndërtuar kompromis dhe, mbi të gjitha, për përgjegjësinë e saj ndaj partnerëve strategjikë të Kosovës.”

Hyseni për “Bota sot” thotë se pyetja kryesore nuk duhet të jetë vetëm se kush do të zgjidhet President, por se çfarë Presidenti i duhet Kosovës në këtë moment.

“Presidenti duhet të jetë institucion bashkues, e jo trofe partiak. Në një demokraci të konsoliduar, Presidenti nuk duhet të jetë shpërblim për fituesin e zgjedhjeve dhe as instrument i një partie politike. Ai duhet të jetë një figurë që, përtej dallimeve partiake, mund të përfaqësojë shtetin, qytetarët dhe interesat strategjike të Republikës.”

Në këtë kontekst, Hyseni vlerëson se propozimi për Faton Bislimin meriton vëmendje, veçanërisht për shkak të mbështetjes së ardhur nga dy figura amerikane.

“Ky zhvillim ka rëndësi të veçantë! Sepse propozimi nuk vjen thjesht nga një aktor politik vendor. Ai vjen nga një figurë amerikane që ka një histori të gjatë angazhimi në çështjen shqiptare dhe në marrëdhëniet Kosovë–SHBA. Edhe më domethënëse është se DioGuardi nuk është i vetmi zë amerikan që ka mbështetur publikisht shqyrtimin e Bislimit. Ish-ambasadori Ëilliam G. Walker është shprehur gjithashtu në favor të tij. Kështu, kandidatura e Bislimit ka hyrë në debatin publik jo vetëm si një emër politik, por si një propozim për konsensus dhe orientim euroatlantik.”

Sipas Hysenit, profili akademik, politik dhe ndërkombëtar i Bislimit mund të jetë një prej elementeve që e bën atë interesant në një proces të mundshëm kompromisi.

“Faton Bislimi, me formimin e tij akademik dhe përvojën politike e ndërkombëtare, përfaqëson një profil disi të ndryshëm nga modeli tradicional i politikanit kosovar. Kosova nuk ka nevojë vetëm për një President që e njeh politikën e brendshme. Ajo ka nevojë për një President që e kupton Ëashingtonin, Brukselin, diplomacinë ndërkombëtare dhe mekanizmat e vendimmarrjes në demokracitë perëndimore.”

Hyseni e lidh këtë profil edhe me rëndësinë që kanë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe çështjet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Për ne shqiptarët e Luginës së Preshevës, angazhimi amerikan për të drejtat e shqiptarëve në Serbi ka rëndësi të jashtëzakonshme. Në këtë kuadër, kontributi i Faton Bislimit, sipas vlerësimit dhe dëshmive që vijnë nga angazhimi i tij publik, duhet parë si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta mbajtur çështjen e shqiptarëve të Luginës në vëmendjen e institucioneve amerikane.”

Megjithatë, Hyseni vlerëson se asnjë kandidat nuk mund të quhet automatikisht konsensual vetëm për shkak të mbështetjes që merr nga jashtë Kosovës. Sipas tij, kriteri kryesor mbetet aftësia për të siguruar mbështetje politike brenda Kuvendit.

“Një kandidat konsensual duhet të jetë në gjendje të marrë mbështetje përtej kampit të tij. Në fakt, vetë Joseph DioGuardi në letrën drejtuar liderëve të Kosovës e ka formuluar kriterin në këtë mënyrë: Presidenti duhet të jetë në gjendje të fitojë besimin e më shumë se një kampi politik dhe të mos bëhet instrument i asnjërës palë. Ky kriter është shumë i rëndësishëm.”

Hyseni thotë se nëse Bislimi do të arrinte të merrte mbështetje nga më shumë se një kamp politik, kandidatura e tij mund të shndërrohej në një mundësi reale kompromisi.

“Nëse Kosova zgjedh një President vetëm me logjikën ‘ky është kandidati i LVV-së’, ‘ky është kandidati i LDK-së’, ‘ky është kandidati i PDK-së’ ose ‘ky është kandidati i një grupi tjetër’, atëherë Presidenca rrezikon të fillojë mandatin me një deficit politik. Ndërsa një kandidat që mund të votohet nga më shumë se një kamp politik mund të krijojë një tjetër atmosferë. Në këtë kuptim, Bislimi mund të paraqitet si kandidat potencial i kompromisit, por jo automatikisht si kandidat konsensual. Vendimi përfundimtar u takon deputetëve.”

Në fund, Hyseni u bën thirrje liderëve politikë që ta shfrytëzojnë momentin për të arritur një marrëveshje dhe të mos e kthejnë Presidencën në vazhdim të përplasjes partiake.

“Kurti dhe Abdixhiku, por edhe PDK-ja dhe AAK-ja, duhet ta kuptojnë se zgjedhja e Presidentit nuk mund të jetë vazhdim i betejës elektorale me mjete të tjera. Presidenti duhet të jetë institucion i Republikës, jo pronë e shumicës së radhës.”

Ai vlerëson se nëse emri i Bislimit vendoset në tavolinën e negociatave, duhet të shqyrtohet mbi bazën e meritave, integritetit dhe aftësisë për ta përfaqësuar Kosovën.

“Prandaj, nëse emri i Faton Bislimit vendoset në tavolinën e negociatave, ai duhet të shqyrtohet seriozisht, me kriteret e meritës, integritetit, pavarësisë politike, përvojës shtetërore dhe aftësisë për ta përfaqësuar Kosovën jashtë vendit. Ata nuk mund ta zgjedhin Presidentin e Kosovës. Por mund t’u kujtojnë liderëve të Kosovës se Presidenca nuk është trofe partiak – por është përgjegjësi e lartë shtetërore”, përmbylli Nehat Hyseni për “Bota sot”.

Të Ngjashme