Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda partisë lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Zemaj, i cili është përmendur si një nga kundërshtarët e marrëveshjes së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për emrin e Bekim Sejdiut për president, ka thënë se ai mbetet “sot e përgjithmonë” në LDK.
Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka thënë se rrënjët e LDK-istëve dhe rugovistëve janë të thella dhe, sipas tij, nuk mund të luhaten nga interesat e momentit.
“Mirëmëngjesi, Kosovë!
Sot e përgjithmonë, LDK!
Kam pritur, kam përcjellë, kam pritur përsëri. Por një gjë nuk ka ndryshuar: LDK-istët e Rugovistët mbeten aty ku kanë qenë gjithmonë, në rrënjët e tyre.
Rrënjët e thella nuk luhaten nga erërat e ditës dhe nuk shkulen nga interesat e momentit. Ato nuk janë krijuar nga lobime, financime apo pazare, as nga brenda e as nga jashtë vendit.
Janë rrënjë autoktone, të mbjella në vitin 1989, të ushqyera nga një shekull mbamendje, sakrifice dhe përkushtimi për Kosovën dhe shqiptarinë.
Prandaj, kushdo që mendon se mund ta ndryshojë identitetin tonë me presion, kalkulime apo interesa të çastit, duhet ta dijë një gjë:
LDK-ja nuk është pronë e askujt. Është histori, vlerë dhe besim i gjeneratave.
Ne vazhdojmë përpara, me krenari, me nder dhe me ndërgjegje të pastër.
Pa u lëkundur. Pa u përkulur. Pa asnjë shibel”, ka shkruar Zemaj.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur brenda LDK-së ka pasur diskutime lidhur me kandidaturën për president dhe qëndrimet e deputetëve të partisë.
