Disa aktivistë janë mbledhur të mërkurën para objektit të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi nga institucionet për trajtimin e rastit të saj.
Ata po qëndrojnë jashtë në kohën kur Komisioni Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlindës është mbledhur për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse.
Aktivistët kanë kërkuar tash e disa ditë që rasti të trajtohet me seriozitet, të zbardhen të gjitha rrethanat që çuan në tragjedi dhe të mos mbetet pa përgjigje përgjegjësia institucionale.
Në fokus të mbledhjes së komisionit janë dëshmitë e kryetarit të Komunës së Pejës dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale, të cilët pritet të japin sqarime për veprimet institucionale para dhe pas rastit.
Ndërkohë, komisioni ka vendosur që dëshmia e menaxheres së rastit në QPS-në e Pejës, Toskë Gega, të mbahet me dyer të mbyllura, pas kërkesës së saj për mbrojtjen e ndjeshmërisë së rastit dhe të dhënave që lidhen me një të mitur.
