Ishulli i izoluar i arkipelagut Juan Fernández, i njohur botërisht si vendi që frymëzoi romanin “Robinson Crusoe”, po përgatitet për një nga ekspeditat më të mëdha të kërkimit të thesarit në histori. Gjykata e Lartë e Kilit ka dhënë dritën jeshile për sipërmarrësin holandez, Bernard Keiser, që të rifillojë gërmimet për një “plaçkë” të supozuar lufte të shekullit të 18-të, vlerësuar mes 20 dhe 40 miliardë dollarësh.
Ky vendim vjen pas një beteje të gjatë ligjore dhe mjedisore, duke rrëzuar ndalimet e vendosura më parë nga Korporata Kombëtare Pyjore (Conaf).
Tre dekada kërkime dhe pesë milionë dollarë investim
Bernard Keiser, tashmë 76 vjeç, nuk është një emër i panjohur për autoritetet kiliane. Ai ka shpenzuar më shumë se 30 vite të jetës së tij dhe mbi pesë milionë dollarë nga pasuria personale në kërkim të këtij thesari, duke ndërmarrë të paktën 17 ekspedita.
Rifillimi i gërmimeve, i planifikuar për në tetor të këtij viti, mbështetet mbi të dhëna të reja shkencore. Në vitin 2025, studimet gjeofizike zbuluan një përqendrim të lartë metali në zonën e Puerto Inglés, duke ri ndezur shpresat për zbulimin e madh.
Legjenda e “Nuestra Señora del Monte Carmelo”
Sipas dorëshkrimeve historike që udhëheqin Keiser-in, thesari përbëhet nga rreth një mijë fuçi të mbushura me monedha ari, argjendi dhe gurë të çmuar nga Meksika.
“Ngarkesa thuhet se është fshehur në vitin 1714 nga kapiteni spanjoll Juan Ubilla de Echeverría dhe më pas është rivarrosur në vitin 1760 nga navigatori britanik Cornelius Webb,” shpjegojnë burimet historike të cituara në procesin gjyqësor.
Lopata në vend të makinerive
Meqenëse ishulli mban statusin e Parkut Kombëtar, gjuetia e thesarit nuk do të jetë një operacion i thjeshtë industrial. Gjykata ka vendosur kushte strikte mjedisore:
Punë manual- Ndalohet rreptësisht përdorimi i makinerive të rënda.
Afati kohor- Gërmimet mund të zgjasin maksimalisht gjashtë muaj.
Ndarja e fitimit- Sipas ligjit kilian, nëse ari gjendet, 75% e vlerës i kalon shtetit dhe vetëm 25% i mbetet Keiser-it dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Nëse ekspedita e këtij tetori do të rezultojë e suksesshme, ajo do të shënonte fundin e njërit prej mistereve më të mëdha detare dhe një injektim masiv kapitali për arkat e shtetit të Kilit. Deri atëherë, ishulli i Robinson Crusoe mbetet i mbështjellë mes shkencës moderne gjeofizike dhe miteve të vjetra të piratëve.
