Lajme

Gjini pas mbledhjes së Kryesisë: Aleanca mbetet në mbështetje

Pas mbledhjes së Kryesisë së Aleancës, kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, në konferencën për media, Gjini ka folur për vendimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale, duke ritheksuar qëndrimin e Aleancës në mbështetje.

Kreu i Aleancës ka ritheksuar qëndrimin e kësaj partie lidhur me Gjykatën Speciale, duke thënë se nuk e kanë votuar Ligjin e vitit 2015 dhe se Kuvendi duhet ta trajtojë mundësinë e shfuqizimit të tij.

“Fatkeqësisht, tashmë për një kohë të gjatë Kosova po merr vetëm lajme të këqija. Kemi harruar se kur kemi marrë ndonjë lajm të mirë për vendin tonë dhe besojmë se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë këtë situatë. Sot kemi edhe dënimin shtesë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi. Aleanca mbetet pranë qëndrimeve të saj të qarta, në mbështetje të të gjithë luftëtarëve të UÇK-së, të cilët janë gjykuar në Gjykatën e Specializuar”, ka deklaruar Gjini.

Në po këtë konferencë, Gjini ka kritikuar Qeverinë edhe për situatën në sektorin e energjisë, duke thënë se vendi po i afrohet një kolapsi energjetik. Sipas tij, përgjegjësia për këtë gjendje bie mbi Qeverinë e Kosovës, për shkak të neglizhencës dhe mungesës

“Prej disa muajsh, që nga korriku, ne e kemi parë rrugën se ku po shkon kjo situatë, ndërsa sot Kosova gjendet në një gjendje tepër tronditëse, pothuajse çdo ditë pranë kolapsit energjetik. Faji është tërësisht në Prishtinë, faji është te Qeveria e Kosovës, për shkak të neglizhencës, mungesës së kompetencës dhe, sipas të gjitha gjasave, edhe për shkak të korrupsionit në të gjithë sektorët”, është shprehur Gjini.

Ai ka kundërshtuar edhe vendimin për ndalimin e importit të energjisë elektrike nga Serbia, duke e cilësuar si përpjekje për ta larguar vëmendjen e qytetarëve nga problemet e brendshme të sektorit energjetik.

Gjini ka përmendur anulimin e projektit me kompaninë ContourGlobal dhe refuzimin e gazit amerikan, duke pretenduar se këto vendime e kanë lënë Kosovën të varur nga importi i energjisë.

“Qëllimi ka qenë që Kosova të bëhet prodhuese e energjisë, të mos varet nga importi dhe nga mafia energjetike që këta njerëz e kanë instaluar. E kanë anuluar projektin me ContourGlobal, për të cilin kemi paguar edhe 21 milionë euro në arbitrazh, si dhe e kanë refuzuar gazin amerikan. Kjo do të thotë se këta nuk mendojnë as në afat shkurtë, as për periudhën afatmesme dhe as për atë afatgjatë”, ka thënë Gjini.

Në konferencë, ai ka kritikuar edhe ndarjen e mjeteve buxhetore për projektet infrastrukturore, duke përmendur në veçanti projektin e rrugës Prishtinë–Durrës, për të cilin ka thënë se nuk janë ndarë mjetet e nevojshme për fillimin e realizimit.

Gjini ka përmendur gjithashtu gjendjen në shëndetësi, arsim dhe prodhimtarinë vendore, duke e akuzuar Qeverinë se po i godet prodhuesit vendorë përmes instrumenteve shtetërore.

Në fund, Gjini ka bërë të ditur se këto çështje kanë qenë ndër temat e diskutuara në mbledhjen e Kryesisë së Aleancës, ndërsa ka theksuar se partia do të vazhdojë takimet me qytetarët në terren.

Të Ngjashme