Lajme

Haziri: LDK-së i takon anëtarësia, pa të nuk ka zgjidhje e as zgjedhje në Kosovë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar për debatet rreth kësaj partie, duke thënë se LDK do të vazhdojë të përballet me sfidat politike përmes debatit të brendshëm dhe demokracisë.

Haziri ka deklaruar se i kupton aktivistët dhe anëtarësinë që kërkojnë që LDK të jetë partia e parë në vend, por ka kritikuar ata që, sipas tij, fillimisht e kanë mbështetur fuqishëm partinë dhe më pas kanë shkruar “nekrologji” për të.

“Mos u lodhni shumë, se LDK i takon anëtarësisë e jo funksionarëve”, ka shkruar Haziri.

Ai ka thënë se LDK mund të përballet me kërkesat e Republikës përmes marrëveshjeve politike, debatit të brendshëm dhe demokracisë së brendshme.

“Periudha post-independente dhe post-Rugoviste, veç një gjë e ka konfirmu: që pa LDK-në nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje”, ka deklaruar Haziri.

Sipas tij, stabiliteti dhe normalizimi i Republikës kalojnë përmes institucioneve dhe rolit politik të LDK-së.

Haziri ka theksuar gjithashtu se rikthimi i madh i LDK-së, sipas tij, mund të ndodhë përmes një marrëveshjeje të madhe politike, duke ruajtur demokracinë e brendshme të partisë.

“LDK ishte parti ringritëse në një kohë të pakohë, sepse kur krejt ishin rrëzu e dorëzu, LDK nisi ringritjen tonë, si shoqni e organizume”, ka shkruar ai./teve1.info/

Të Ngjashme