Lagështia mund të prishë edhe veshjet më të mira të pushimeve, paralajmërojnë stilistët, nëse nuk merrni me vete veshje prej materialesh që lejojnë lëkurën të marrë frymë dhe pjesë vërtet shumëfunksionale. Cilat janë veshjet dhe ngjyrat që duhen zgjedhur dhe çfarë duhet të lini në shtëpi?
Vera tashmë ka hyrë në kulmin e saj dhe, me sezonin e pushimeve në prag, shumë udhëtarë po zgjedhin destinacione të nxehta dhe me lagështi të lartë.
Edhe pse një udhëtim jashtë vendit është një arsye për t’u gëzuar dhe një mundësi shumë e nevojshme për t’u çlodhur, përgatitja e veshjeve të duhura për klima të ndryshme nuk është aspak e thjeshtë.
Gabimet më të zakonshme, sipas stilistes së personazheve të njohur dhe ekspertes së modës Alex Longmore, klientët e së cilës kanë përfshirë Amanda Holden dhe Dame Joanna Lumley, janë mungesa e organizimit, marrja e më shumë rrobave sesa duhet dhe mosvlerësimi i cilësisë së materialeve.
Stilistja Lisa Talbot, e cila ka bashkëpunuar me marka si H&M dhe Fenwick, shton se gratë shpesh neglizhojnë ndikimin që ka lagështia në zgjedhjen e veshjeve, duke bërë valixhen vetëm duke pasur parasysh temperaturat e larta.
Nga ngjyrat më të përshtatshme për të marrë me vete deri te pjesët bazë për një garderobë kapsulë pushimesh, ja këshillat kryesore të Longmore dhe Talbot për t’u veshur mirë në destinacionet e nxehta dhe me lagështi.
Veshjet shumëfunksionale janë më të mira se ato që përdoren vetëm në një rast
Një palë pantallona lino me këmbë të gjera duhet të jenë pjesë e listës së çdo udhëtari, pasi janë të ajrosshme dhe shumëfunksionale. Longmore rekomandon zgjedhjen e një ngjyre të njëtrajtshme, në vend të motiveve, në mënyrë që të kombinohen me disa bluza pa zënë hapësirë të panevojshme në valixhe. Kanotieret e bardha dhe bluzat në stilin negligee janë zgjedhjet e saj të preferuara për t’i kombinuar me to.
Përveç pantallonave lino, Longmore thotë se edhe pantallonat në stil pizhamash me vija blu dhe të bardha janë të domosdoshme, pasi mund të kombinohen po ashtu me disa bluza të ndryshme, si për shembull një këmishë lino e gjerë.
Për të udhëtuar edhe më lehtë, Talbot është një mbështetëse e fortë e seteve të koordinuara me pantallona të shkurtra dhe bluzë.
“Mund t’i vishni bashkë ose t’i kombinoni veçmas, kështu që keni më shumë alternativa veshjesh duke zënë më pak hapësirë në bagazh.”
Sipas saj, setet me punim me grep (crochet) janë veçanërisht në modë këtë sezon.
Bizhuteritë vlejnë më shumë sesa pesha që zënë
Për të krijuar më shumë kombinime, nuk është e nevojshme të merrni më shumë rroba; mjafton të merrni më shumë aksesorë. Veçanërisht bizhuteritë mund “ta ngritin nivelin e veshjes dhe ta përshtatin atë nga dita në mbrëmje”, thotë Talbot, e cila sugjeron përdorimin e një kutie për pilula, që zakonisht përdoret për ilaçe, si mënyrë praktike për t’i mbajtur të organizuara në valixhe.
Bizhuteritë prej metalesh bazë, si ari dhe argjendi, u shkojnë grave të çdo moshe dhe kombinohen me çdo veshje. Për një zgjedhje të lehtë, Talbot rekomandon një byzylyk me disa shtresa, duke kombinuar byzylykë ari, argjendi dhe ari rozë, për një përzierje elegante tonesh.
Aksesori për kokën që po rikthehet në modë
Përveç kapelave të diellit me strehë të gjerë, Talbot thotë se shamitë trekëndore (bandana) janë ndër aksesorët më të kërkuar të kësaj vere.
“Mund të kenë stampa, të shtojnë ngjyra dhe do të mbrojnë kokën, si edhe do të ndihmojnë që flokët e lyer të mos dëmtohen nga dielli”, thotë ajo.
Edhe pse bandanat janë shumë të pëlqyera, Talbot thotë se nuk preferohen aq shumë për mbrëmje. Përkundrazi, ato janë një aksesor ideal për të përmirësuar pamjen gjatë ditës dhe mund t’i japin një stil të veçantë edhe rrobave të banjës.
Pse e verdha është e zeza e re
Pas rikthimit të shumëpërfolur të Princeshës së Uellsit në Royal Ascot, e veshur me një fustan të verdhë të spikatur, kjo verë i përket ngjyrës së verdhë, sipas Talbot.
Ajo thotë se janë në modë të gjitha nuancat e së verdhës, nga e verdha neon deri te e verdha në ton gjalpi. Edhe Longmore e veçon të verdhën si ngjyrën kryesore të sezonit dhe rekomandon kaftane dhe fustane plazhi në nuanca të verdha të çelëta.
Megjithëse veshjet me ngjyra të çelëta janë zakonisht më të preferuara për destinacionet e nxehta dhe me lagështi, Talbot nuk këshillon shmangien e ngjyrës së zezë.
“E zeza tërheq nxehtësinë, por në mbrëmje, kur temperaturat bien, një fustan i zi në stil slip dress me një palë sandale të bardha do të krijonte një pamje shumë të bukur”, shton ajo.
Kujdes të mos merrni shumë fustane
Longmore këshillon të mos merrni më shumë se dy fustane të gjatë (maxi) ose kominoshe, pasi zënë shumë vend në valixhe.
Për të kursyer hapësirë, ajo rekomandon një fustan të lehtë në stilin negligee. Longmore thekson se ky stil është shumë në modë mes personazheve të njohur. Edhe këngëtarja Dua Lipa është parë me një bluzë negligee bardhezi me detaje dantelle gjatë muajit të mjaltit me Callum Turner.
Nëse stili negligee nuk është sipas shijes suaj, Longmore thotë se fustanet e bardhë me pika të zeza janë një zgjedhje shumë në modë.
Nëse jeni të vendosura të merrni disa fustane të ndryshëm, Talbot sugjeron fustanet midi.
“Ato janë shumë të përshtatshme për gratë që nuk duan të ekspozojnë gjunjët, por duan të qëndrojnë freskët”, thotë ajo. “Një fustan midi mund t’ju shoqërojë nga dita në mbrëmje vetëm duke ndryshuar aksesorët.”
Si të bëni valixhen nëse jeni një grua në moshë më të madhe
“Një abaniko është një ide shumë e mirë nëse jeni në moshë më të madhe, pasi zakonisht ndjesia e nxehtësisë është më e fortë në fytyrë dhe qafë”, thotë Longmore.
“Mund të zgjidhni një ventilator të vogël me funksion freskues me spërkatje, që e kam parë shpesh në Instagram, ose një abaniko elegant në stil spanjoll.”
Sa i përket këpucëve, Longmore rekomandon sandalet Jesus, të cilat janë më të gjera dhe lënë hapësirë në rast se këmbët fryhen nga nxehtësia.
Megjatë, ajo këshillon të shmangen shapkat, si për arsye estetike, ashtu edhe praktike.
“Ato nuk krijojnë një pamje të bukur dhe shpesh nuk janë as të rehatshme”, shpjegon ajo.
Talbot thotë se materiali i veshjeve është veçanërisht i rëndësishëm për gratë që po kalojnë menopauzën.
“Duhet patjetër të merrni me vete veshje 100% lino ose pambuk, sepse nuk mbajnë nxehtësinë dhe janë shumë më të rehatshme, por edhe më elegante”, shton ajo.
Gratë në moshë më të madhe mund të dëshirojnë të veshin më pak rroba në kushte të nxehta dhe me lagështi. Për ta bërë këtë duke ruajtur elegancën, Talbot sugjeron fustane pa rripa ose me rripa shumë të hollë (spaghetti straps)./ DPA News
