Teksa vendi vazhdon të përballet me ngërçin institucional, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë refuzuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takim me liderët politikë.
Në anën tjetër, kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, ka bërë thirrje për një marrëveshje politike para vazhdimit të punës së Kuvendit, duke kërkuar nga partitë që të ulen së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e krizës institucionale.
Dehari ka deklaruar se mirëpret ftesat për takime të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndërsa u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të angazhohen për një marrëveshje që do t’i hapte rrugë funksionalizimit të institucioneve.
Por, çfarë fshihet pas refuzimit të PDK-së dhe AAK-së për të dialoguar për një president konsensual? Pse këto parti, në njërën anë, kërkojnë konstituimin e Kuvendit, ndërsa në anën tjetër refuzojnë takimet politike që mund të çojnë drejt një marrëveshjeje?
Për këtë çështje, për “Bota sot” ka folur analisti politik Gani Qarri.
Fillimisht, Qarri e lidh situatën aktuale politike me zhvillimet në veri të Kosovës, duke pretenduar se përparimet në shtrirjen e institucioneve të Kosovës kanë shtuar shqetësimin e opozitës.
Sipas tij, konfirmimi i KFOR-it për “tranzicionin gradual” të përgjegjësisë për Urën kryesore mbi lumin Ibër te njësitë e Policisë së Kosovës, si dhe deklaratat e BE-së lidhur me përmbushjen e kushteve për hapjen e urës, kanë ndikuar në sjelljen e opozitës.

Gani Qarri.
“Konfirmimi i KFOR-it, se ka nisur ‘tranzicionin gradual’ të përgjegjësisë për Urën kryesore mbi lumin Ibër në kompetencat e njësive të Policisë së Kosovës dhe deklarata e BE-së se janë përmbushur kushtet për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, shtrirja e shtetësisë e integrimi i plotë i veriut, sikur nxori tërësisht nga kontrolli opozitën e inkriminuar, e cila duket se u verbua nga suksesi i radhës dhe vetëm po kërkon shkas për bllokimin e qeverisjes së mirë e pengimin me çdo kusht të shënimit të sukseseve të reja të kryeministrit Kurti në udhëheqjen e Republikës së Kosovës”, deklaroi Qarri.
Ai ka kritikuar ashpër PDK-në dhe AAK-në për qasjen e tyre ndaj situatës institucionale, duke e krahasuar atë me veprimet e tyre të mëparshme.
“Ndryshe vitin e kaluar, po këto parti opozitare ndërmorën të gjitha llojet e mundshme të obstruksioneve më të ulëta politike, për pengimin me çdo kusht të konstituimit të Kuvendit dhe bllokimin e krijimit të institucioneve shtetërore. Ndaj, ‘turrja’ e paparë aktuale e po këtyre partive të inkriminuara për ‘formimin’ edhe me forcë të Kuvendit dëshmon se inversioni i tyre nuk ka të bëjë fare me Kushtetutën as rregulloren e Parlamentit, por me një betejë të pashembullt me qëllim të ruajtjes së paprekur të sistemit të kapur të drejtësisë të krijuar nga ato vetë, i cili tanimë dita-ditës ka filluar t’u shembet para syve të tyre”, u shpreh ai.
Më tej, analisti Qarri e sheh çështjen e presidentit si një nga arsyet kryesore për të cilat, sipas tij, PDK dhe AAK po insistojnë në konstituimin e Kuvendit, por nuk po pranojnë të diskutojnë për një kandidat konsensual.
Ai përmendi edhe zhvillimet e pritshme në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se zgjedhja e presidentit mund të ketë rëndësi të veçantë në këtë proces.
“Presidenti i vendit është faktori vendimtar që ka të drejtën të bëjë dekretimin e gjyqtarëve edhe në Gjykatën Kushtetuese dhe, duke qenë se në fillim të gushtit të vitit 2027 u kalon mandati pesë gjyqtarëve të deritanishëm, me ç’rast duhet të zgjidhen pesë gjykatës të rinj, gjë që nënkupton edhe ndryshimin gati komplet të përbërjes aktuale të gjyqtarëve të kësaj gjykate, agresioni i paparë aktual i partive opozitare për ‘formimin’ edhe me forcë të Kuvendit dëshmon se PDK dhe AAK këmbëngulin për gllabërimin me çdo kusht të postit të presidentit”, theksoi Qarri.
Sipas tij, fakti që AAK ka dalë me Ramush Haradinajn si kandidat për president tregon, në vlerësimin e tij, se kjo parti e sheh postin e të parit të shtetit si një objektiv të rëndësishëm politik.
Qarri pretendon se synimi i opozitës është që, përmes kontrollit të institucioneve kryesore, të ruajë ndikimin edhe në proceset që lidhen me drejtësinë.
“Fakti se mandati i pesë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të dekretuar më 9 gusht të vitit 2018 me mandat nëntëvjeçar, nga shtatë sa ka kjo gjykatë, përfundon më 8 gusht të vitit 2027, ndërsa gjyqtarët e rinj në Gjykatën Kushtetuese pretendohet të jenë kuadro të pandikuara nga partitë e inkriminuara politike dhe regjimet e të kaluarës, ka bërë që partitë opozitare të luftojnë me mish e me shpirt, duke mos përjashtuar as forcën, për përvetësimin e postit të presidentit”, tha ai.
Ai shtoi se situata mund të ndryshojë edhe më tej me proceset e reformimit të sistemit të drejtësisë.
“Veçanërisht pas futjes së Vetingut dhe aktivizimit të Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Kundërligjshme, e gjithë fuqia dominuese që partitë e inkriminuara politike kishin deri më tani në institucionet kryesore vendimmarrëse juridike e gjyqësore të Republikës së Kosovës, përfshi Gjykatën Kushtetuese, bie dhe nuk ka më kush t’i mbrojë akterët nga bëmat e tyre të kundërligjshme”, nënvizoi Qarri.
Duke komentuar refuzimin e PDK-së dhe AAK-së për t’iu përgjigjur ftesës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, analisti e konsideron këtë një qasje që, sipas tij, mund ta thellojë krizën institucionale.
“Megjithëse PDK dhe AAK kanë refuzuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takim me liderët politikë, për të mos e bllokuar zgjedhjen e presidentit dhe detyruar vendin që vetëm 60 ditë pas konstituimit të Kuvendit sërish të shkojë në zgjedhje të parakohshme, edhe kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, z. Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë thirrje për një marrëveshje politike para vazhdimit të punës në seancën parlamentare të radhës”, u shpreh ai.
Qarri e vlerëson si të nevojshme një marrëveshje ndërmjet partive politike, duke theksuar se vendi nuk mund të përballojë një tjetër proces zgjedhor pa një zgjidhje të qëndrueshme institucionale.
“I vetëdijshëm se vendit i duhet medoemos një president konsensual dhe institucione e qeverisje stabile, z. Dehari me të drejtë deklaroi se mirëpret ftesat për takime të zonjës Albulena Haxhiu dhe kryetarit të LVV-së, z. Albin Kurti, dhe u bëri thirrje të sinqertë të gjitha partive politike që të ulen së bashku për të gjetur një zgjidhje adekuate për tejkalimin e ngërçit politik, mënjanimin e krizës institucionale dhe shpëtimin e vendit, pa e çuar në zgjedhje të reja të parakohshme të katërtat me radhë për më pak se dy vite”, deklaroi Qarri.
Në fund, analisti Qarri tha se përsëritja e zgjedhjeve nuk është zgjidhje e qëndrueshme për krizën aktuale, duke bërë thirrje për kompromis ndërpartiak.
“Përsëritja e zgjedhjeve ka treguar qartë se ato nuk sjellin domosdoshmërisht ndryshim të madh politik dhe vetëm sa rrisin edhe më tepër pakënaqësinë e elektoratit aktiv. Zgjidhja e vetme, e qëndrueshme dhe reale mbetet përsëri kompromisi ndërpartiak për zgjedhjen konsensuale të të parit të shtetit, krijimin e institucioneve të qëndrueshme funksionale, vendosjen e një Qeverie stabile dhe ecjen e sigurt të Kosovës së pavarur përpara në rrugëtimin e integrimeve evropiane, anëtarësimin sa më parë në NATO e organizatat tjera të rëndësishme euroatlantike dhe botërore, deri te pranimi i saj si shtet i pavarur me të drejta të plota në OKB, që është edhe akti final dhe qëllimi kryesor i shtetndërtimit të suksesshëm të Republikës së Kosovës, gjë që partitë opozitare nuk duhet, dhe as nuk do duhej të guxonin, ta pengojnë”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.
