ShowBizzz

Mos u bërtisni fëmijëve: Neuroshkenca na tregon se si duhet edukuar brezi i ri në shekullin XXI

Një grua në Francë është e shqetësuar për shëndetin mendor të fëmijëve. Ajo ka një mesazh, të cilin e çon kudo që shkon: Ne kemi nevojë për një revolucion në arsim, për të ndryshuar mënyrën se si i trajtojmë fëmijët.

Përparimet e fundit në neuroshkencë, tregojnë se ndëshkimi, bërtitja dhe kërcënimi jo vetëm që nuk funksionojnë, por në fakt e dëmtojnë trurin e të miturve, duke shkaktuar ndryshime të përhershme, të cilat në një periudhë afatgjatë gjenerojnë probleme të tilla si depresioni ose ankthi.

Prandaj, është e rëndësishme që shumë prindër të nisin të modifikojnë marrëdhëniet e tyre me fëmijët. Sado që i adhurojmë, ndonjëherë është e vështirë të përmbahemi nga bërtitja ndaj tyre. Vetëkontrolli nuk është një gjë e lehtë. Ndërkohë gurutë e të ashtuquajturit “edukim pozitiv” kanë miliona ndjekës në rrjetet sociale, edhe pse disa nuk janë të vetëdijshëm se

ky sektor po përjeton një bum shkencor.

Francezja që është në krye të një lëvizje të tillë quhet Kethrin Gegen, dhe prej 28 vitesh është pediatre në spitalin franko-britanik Levallois Perret në Paris. Si pjesë e fushatës së saj, Gegen përmend të dhëna globale nga UNICEF:4 në 5 fëmijë i nënshtrohen një edukimi verbal ose fizikisht të dhunshëm.

80 për qind e tyre pësojnë një ndëshkimi trupor. Ajo ndan gjithashtu rezultatet e një sondazhi të fundit (tetor 2022), të kryer në Francë, sipas të cilit 79 për qind e 1.314 e kryefamiljarëve e pranuan se kishin përdorur dhunën psikologjike gjatë edukimit të fëmijëve të tyre.

“Ju mund të mendoni se dhuna nuk është e përhapur, por më besoni që është. Si pediatre, kam dëgjuar shumë prindër që më thonë se kur e humbasin durimin, i ndëshkojnë, kërcënojnë apo edhe godasin fëmijët e tyre”- thotë ajo.

Gegen ishte 44 vjeçe në vitin 1994, kur u botua një libër që e revolucionarizoi atë që dinim mbi mendjet tona “Gabimi i Dekartit: Emocioni, arsyeja dhe truri i njeriut” nga neurologu portugez Antonio Damasio, fitues i çmimit prestigjioz Princi i Asturias në vitin 2005.

Në atë libër, neuroshkencëtari i dha emocioneve dhe ndjenjave tona rolin që meritojnë në sjelljen tonë. “Ne i konsideronim të parëndësishme. Por emocionet janë thelbësore. Unë doja t’u jepja atyre rolin e duhur; pasi janë ato që na bëjnë njerëz”,- thotë Damasio.

Mesazhi i librit është se Dekarti gaboi dikur kur tha “Unë mendoj, prandaj jam”. Damasio mendon se thënia e saktë duhet të jetë “Unë ndjej, prandaj mendoj”. Ai përshkroi funksionimin e korteksit paraballor, një zonë me lëndë gri me trashësi disa milimetra që ndodhet mbi zgavrat e syve. Ajo lidh pjesë të ndryshme të trurit me të tjerat, që përcaktojnë reagimin tonë motorik dhe psikologjik.

Ai tregoi se emocionet dhe ndjenjat luajnë një rol kyç në racionalitetin tonë. Për të arritur në këtë përfundim, mati fushat magnetike që prodhojnë rrymat elektrike që kalojnë nëpër sistemin tonë nervor. Dikur ky lloj studimi mund të kryhej vetëm duke hapur një kafkë me bisturi.

Në fillimet e saj neuroshkenca studioi rastet më të rënda; fëmijë jetimë ose viktimat e abuzimeve të rënda. “Por pak nga pak, jemi fokusuar më shumë tek familje më të zakonshme”-thotë neurohulumtuesja holandeze Sandra Thijssen, eksperte në zhvillimin e fëmijëve në Institutin e Shkencave të Sjelljes të Universitetit Radboud.

Në vitin 2018, Akademia Amerikane e Pediatrisë publikoi një listë rekomandimesh që paralajmëronin mbi rreziqet e një edukimi të ashpër. Studimet tregojnë se kur të miturit që dhunohen verbalisht arrijnë moshën e adoleshencës “janë më pak kreativë dhe kureshtarë, si dhe më pak të aftë për të marrë njohuri të reja dhe më të prirur për të përjetuar trishtim dhe depresion” thotë David Bueno, biolog i specializuar në gjenetikë dhe neuroshkencë dhe drejtor i katedrës së neuroedukimit në Universitetin e Barcelonës, Spanjë.

Sipas tij aktivizohen të njëjtat zona të trurit, ndërsa ajo që ndryshon është marrëdhënia midis zonave të ndryshme. “Gjatë një edukimi negativ, amigdala e trurit bëhet më reaktive ndaj emocioneve negative dhe zona që menaxhon emocionet, ajo paraballore, bëhet më pak e aftë për të menaxhuar ankthin dhe stresin-” theksoi ai.

Ndaj më të miturit,sidomos më apatikët, e kanë më të vështirë të gjejnë motivim në këtë jetë. Dhe në kërkimin e tyre për stimuj, ata mund bëhen të ndërvarur nga droga. Psikiatria dhe psikologia australiane Sarah Uitëll nga Qendra e Neuropsikiatrisë në Melbërn, zbuloi se rritja në një lagje të varfër ose të pa favorizuar shkakton ndryshime në funksionin njohës dhe shëndetin mendor të fëmijëve.

Ajo anketoi 7.500 fëmijë nga klasa të ndryshme shoqërore, dhe sugjeroi se do të ishte e dobishme nëse prindërit dhe mësuesit e tyre do të merrnin mbështetje, në mënyrë që ata të kuptojnë se buzëqeshja e shpeshtë ndaj fëmijëve dhe qëndrimi pranë kur janë të zemëruar ose kur hidhërohen, mund të kompensojë aspekte të tjera negative të mjedisit të tyre të jetesës.

Po çfarë ndodh në trurin e një të mituri që ndëshkohet? Siç ka shkruar psikologu, doktori i edukimit Rafa Gerrero, tek fëmija aktivizohen zonat e poshtme të trurit, ato që kanë të bëjnë me mbijetesën. Në atë moment çlirohen doza të mëdha të adrenalinës dhe kortizolit, duke nxitur veprimin dhe parandaluar të menduarit.

Pra ndëshkimi nxit hakmarrjen. “Meqenëse aktivizohet pjesa e bazamentit të trurit (instinktet dhe emocionet), është e vështirë që ajo të lidhen me pjesën e trurit që lidhen me të menduarit kritik, arsyetimi, funksionet ekzekutive, etj. Por nëse nuk mund t’i ndëshkojmë fëmijët tanë, si mund t’i bëjmë ata të kuptojnë rregullat që  po përpiqemi t’u mësojmë? Do të ketë gjithmonë njerëz që mendojnë se disa shpulla apo mbyllja në dhomë e një fëmije 2-vjeçar, do të ndihmojë në përmirësimin e sjelljes së tyre”- thotë psikanalistja franceze Karolin Godman.

Megjithatë, neuroshkenca na tregon një rrugë tjetër. Neuropsikologu dhe eksperti i arsimit, Alvaro Bilbao shpjegon se midis prindërve jashtëzakonisht të butë që nuk vendosin kurrë asnjë kufi dhe prindërve tradicionalë dhe të ashpër, ekziston një grup i madh i ndërmjetëm që vendos kufij të përcaktuar, ose të paktën përpiqet, duke i ndihmuar të miturit të fitojnë vetëbesim.

Gegen është e shqetësuar për atë që ajo e quan “besnikëri e pakushtëzuar të fëmijëve ndaj prindërve të tyre”. Pra prindërit që dikur janë edukuar ashpër apo bartin shenja të abuzimit, e përsërisin shpesh atë model. Ajo shpjegon se çfarë pritet nga një prind që përpiqet ta edukojë fëmijën e tyre në mënyrën e duhur:ata janë mbi të gjitha persona empatikë dhe të sjellshëm me veten e tyre; janë të lidhur me emocionet e tyre, dinë si t’i shprehin dhe të flasin për to me fëmijën e tyre.

“Ata e dinë se rritja e një fëmije është burim lumturie, por mund të jetë gjithashtu jashtëzakonisht e vështirë. E dinë se do të bëjnë gabime, dhe se të shohësh prindërit e tu që i pranojnë gabimet dhe kërkojnë falje është shumë edukative për fëmijën. Kur prindërit zhvillojnë këtë dashamirësi ndaj vetes, ata dinë se si t’ia transmetojnë atë fëmijës së tyre, dhe nga ana tjetër këta të fundit kanë sukses”- thotë ajo. / “El Pais” – Bota.al