Kuriozitete

Nisin punimet për zhvillimin e Parkut Arkeologjik Bylis–Klos, Gonxhja: Investim 6.25 milionë euro nga BE

Nisin punimet për një nga projektet më të rëndësishme për zhvillimin e Parkut Arkeologjik Bylis–Klos. Projekti, me një fond prej 6.25 milionë eurosh nga Bashkimi Europian, synon të forcojë ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe të rrisë potencialin turistik të zonës së Mallakastrës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili së bashku me ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, përfaqësues të AICS dhe autoritete vendore, inspektoi nga afër kantierin dhe ecurinë e projektit.

Sipas ministrit Gonxhja, ndërhyrja synon të ndërthurë ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike me zhvillimin e turizmit dhe mbështetjen e komunitetit lokal, duke e kthyer Bylisin dhe zonën përreth në një destinacion më të aksesueshëm dhe tërheqës për vizitorët.

Një pjesë e rëndësishme e investimit, rreth 2 milionë euro, do të përdoret për ndërtimin e një Qendre të re Multifunksionale për Vizitorët, e cila do të përfshijë muze, hapësira për kërkim shkencor dhe ambiente për konservimin e objekteve arkeologjike.

Projekti përfshin gjithashtu konservimin e monumenteve arkeologjike. Punimet kanë nisur tashmë në pesë monumente, ndërsa në terren janë angazhuar 11 arkeologë.

Një tjetër komponent i projektit lidhet me komunitetin lokal dhe zhvillimin e turizmit. Deri tani janë certifikuar 13 guida vendase, ndërsa janë parashikuar 210 mijë euro në formën e granteve për 20 përfitues, me synim krijimin e mundësive të reja ekonomike për banorët e zonës.

Të Ngjashme