Policia e Kosovës ka parandaluar dy raste të dyshuara të kontrabandimit me mallra në komunën e Leposaviqit, gjatë aktiviteteve policore të zhvilluara të hënën, më 17 nëntor.
Sipas njoftimit të Policisë, rastet janë identifikuar nga zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, në bashkëpunim me qytetarët.
Rasti i parë është evidentuar rreth orës 16:30, në fshatin Kamen të Leposaviqit, ku policia ka ndaluar një autobus pas informatave se në bagazhin e tij mund të kishte mallra të dyshimta.
Gjatë kontrollit janë gjetur 12 paketa me cigare të llojeve të ndryshme, ku secila përmbante nga 50 boksa me cigare.
Shoferi ka deklaruar se cigaret i kishte blerë në Mitrovicë. Ndërkohë, inspektorët e Agjencisë Tatimore të Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë konstatuar se për mallrat nuk kishte dokumentacion valid.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj shoferit është iniciuar rast penal për veprën penale “Tregti e ndaluar”. Ndërsa, lokali në Mitrovicë, nga i cili dyshohet se janë blerë cigaret, do të trajtohet nga inspektorët sipas procedurave përkatëse.
Rasti i dytë është regjistruar rreth orës 20:00, në fshatin Mihaliq të Leposaviqit, ku policia ka ndaluar për kontroll dy automjete.
Gjatë kontrollit janë gjetur mallra të ndryshme, përfshirë cigare, pije alkoolike, detergjente dhe produkte të tjera, për të cilat dyshohet se nuk kishin dokumentacionin përkatës.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, mallrat janë dërguar në Doganën e Kosovës për trajtim dhe procedura të mëtejme ligjore.
Në fund të njoftimit, Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe informatat e ofruara, duke i inkurajuar që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë në numrin 192.
