Refuzimi për një punë, mund të ndikojë shumë në vetëbesimin tuaj, sidomos nëse jeni refuzuar disa herë. Ndonëse refuzimi për një punë mund të jetë shenjë dështimi për shumë njerëz, duke menduar me objektivitet ata mund ta përdorin atë në mënyrë që të ndërtojnë bazat e tyre kryesore për t’u zhvilluar dhe gjetur përfundimisht një punë që u përshtatet atyre më së miri.
Për të pasur sukses dhe gjetur punën e ëndrrave nuk duhet të lejoni që pengesat në periudha të caktuara, t’iu ndalin për ta realizuar një gjë të tillë.
Si mund ta tejkaloni një refuzim për një punë?
Janë tri gjëra kryesore:
• Tejkaloni problemin e refuzimit
• Analizoni aplikimin tuaj
• Filloni kërkimin e një pune të re.
Tejkalimi i problemit të refuzimit
Forma më e mirë për të tejkaluar këtë fazë është biseda me ndonjë familjar apo mik të ngushtë dhe t’i tregoni se si ndiheni. Ju në asnjë mënyrë nuk duhet ta humbni vetëbesimin. Mbajtja e një qëndrimi mendor pozitiv është shumë e rëndësishme pasi të jeni refuzuar nga një vend pune. Gjithashtu, mos harroni se ju nuk jeni i vetmi që jeni refuzuar për atë pozitë. Realiteti është se numri i njerëzve që refuzohen për punë shpesh tejkalon ata që marrin një ofertë.
Analizoni aplikimin tuaj
Rishikoni CV-në tuaj, nëse është e përditësuar dhe përfshin të gjitha kualifikimet dhe aftësitë që ju posedoni. Pyesni veten nëse mund të kishit bërë diçka ndryshe, gabimet që mund t’i keni bërë ndoshta edhe në intervistën e punës, në mënyrë që në mundësitë tjera që keni për punë të mos i përsëritni gabimet e njëjta, shkruan AkademiPune.
Filloni kërkimin e një pune të re
Gjetja e opsioneve të tjera dhe marrja e përgjigjeve pozitive nga intervistuesit, do ta zbusë refuzimin që keni marrë paraprakisht. Prandaj, vazhdoni të aplikoni, ndërlidhni rrjetin dhe të punoni në planin tuaj afatgjatë të karrierës.