Komediani britanik David Walliams dyshohet se u ka dërguar një sërë mesazhesh shqetësuese disa vajzave adoleshente, të cilat pretendohet se i kishte joshur dhe manipuluar në internet.
Sipas pretendimeve të publikuara nga mediet britanike, 55-vjeçari u kërkonte vajzave fotografi nudo dhe u dërgonte mesazhe me përmbajtje seksuale. Në një prej komunikimeve, ai pyeste një vajzë se sa kohë i kishte mbetur deri në përfundimin e shkollës, ndërsa në një tjetër e quante “të mrekullueshme”.

Një prej mesazheve të tij thuhet se përmbante edhe fjalinë: “Të imagjinoj ty në vaskë është një mendim i këndshëm”.
Një prej vajzave që ka denoncuar rastin, e identifikuar si Alex, pretendon se Walliams ushtronte presion të vazhdueshëm ndaj saj dhe i tregonte se si duhej të pozonte për fotografitë. Në një tjetër email, ai i kishte shkruar: “Fotografitë janë shumë të bukura, meqë ra fjala”.
Walliams, i njohur si ish-anëtar i jurisë së spektaklit “Britain’s Got Talent” dhe për serialin komik “Little Britain”, është përfshirë në një skandal pas një hetimi trevjeçar të ITV News dhe gazetës “The Guardian”.

Ai akuzohet se kishte shfrytëzuar seksualisht vajza adoleshente, disa prej të cilave vetëm 15 vjeçe, përmes manipulimit online dhe kontakteve të papërshtatshme.
Rasti doli në dritë pasi Walliams u identifikua si personazhi i famshëm që kishte kërkuar një urdhër gjykate për të ndaluar mediet të publikonin emrin e tij në lidhje me akuzat seksuale.
Aktori kishte argumentuar se publikimi i këtyre pretendimeve mund ta shtynte drejt vetëvrasjes. Megjithatë, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë e hodhi poshtë kërkesën e tij javën e kaluar. Më pas, Walliams nuk arriti të paraqiste një apel brenda afatit të përcaktuar.
Deri më tani, bëhet fjalë për akuza dhe pretendime të publikuara në kuadër të hetimit mediatik.

