Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, ka bërë të ditur se të hënën, do të mbahet mbledhja e Komisionit, ku në fokus do të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në një prononcim për “Bota sot”, Qorrolli ka njoftuar se mbledhja do të nisë në orën 08:00.
“Të hënën, më 5 tetor 2026, në ora 08:00, në sallën N-10, do të mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion. Në rend të ditës është shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas ngarkimit të Komisionit me shqyrtimin e tij”, ka thënë ai.
Sipas Qorrollit, diskutimi në Komision do të përqendrohet në përmbajtjen e Projektligjit dhe në aspektet juridike të tij.
“Mbledhja do t’i kushtohet shqyrtimit të Projektligjit dhe aspekteve të tij juridike, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit”, ka deklaruar ai.
