IdentiTek ka reaguar pas lajmeve se pasaportat shqiptare përmbajnë gabime në printim, duke sqaruar se ndryshimi i konstatuar në kodin identifikues “PP” nuk përbën gabim, por është një përditësim teknik në përputhje me standardet ndërkombëtare.
IdentiTek bën të ditur se ndryshimi është kryer në zbatim të kërkesave të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), e cila në mars të vitit 2024 miratoi përditësime në standardet për dokumentet e udhëtimit të lexueshme nga makinat.
Konkretisht, për pasaportat e zakonshme, kodi i mëparshëm “P” është zëvendësuar me “PP”, ndërsa për pasaportat e shërbimit kodi “PS” është zëvendësuar me “PO”. Shkronja e parë identifikon pasaportën, ndërsa e dyta përcakton kategorinë e dokumentit.
Sipas IdentiTek, përditësimi i formatit të pasaportave shqiptare është zbatuar që prej dhjetorit 2025, përpara afatit të përcaktuar nga ICAO, më 1 janar 2026. Deri më tani janë prodhuar mbi 300 mijë pasaporta me shënimet e reja.
Në reagim theksohet gjithashtu se Shqipëria është pjesë e Drejtorisë Publike të Çelësave të ICAO-s (PKD) që prej marsit 2025. Ky sistem mundëson verifikimin elektronik të autenticitetit dhe integritetit të të dhënave të ruajtura në çipin e pasaportave biometrike, duke ndihmuar në parandalimin e falsifikimit të dokumenteve.
IdentiTek nënvizon se shënimi “PP” në pasaportat e reja është një ndryshim teknik i detyrueshëm, në përputhje me specifikimet ndërkombëtare, dhe nuk përbën gabim në printim.
